Lidhje

Obama, Romney së bashku në një darkë bamirësie


Presidenti Barack Obama dhe rivali i tij republikan, Mitt Romney po i kthehen sot fushatës presidenciale. Zoti Romney dhe kandidati për nën-president Paul Ryan do të bëjnë fushatë në Florida, një shtet shumë i rëndësishme në zgjedhjet e 6 nëntorit. President Obama do të shkojë në Virxhinia, para se të kalojë fundjavën në vendpushimin presidencial Camp David në Maryland. Mbrëmë, Presidenti Obama dhe zoti Romney vunë në lojë njeri tjetrin gjatë një darke bamirësie, me personalitete të njohura, që u zhvillua mbrëmë në Nju Jork.

Darka, e organizuar nga Kryedioqeza Katolike e qytetit në hotelin luksoz Waldorf-Astoria u dha mundësinë kandidatëve që të bënin një pushim nga fushata intensive presidenciale.

Zoti Romney, biznesmen i pasur, e filloi fjalimin në këtë darkë duke vënë në lojë pasurinë e tij, duke u thënë të pranishmëve, se ai ishte i gëzuar që bashkë me gruan e tij Ann mund të vishnin rrobat, që veshin nëpër shtëpi. Ai vuri në lojë edhe median, të cilën shumë republikanë e akuzojnë se favorizon demokratët.

“Le të themi se disa përfaqësues të shtypit kanë një mënyrë të veçantë se si i shikojnë gjërat. Kur pa pritur unë dola në krye të anketave të rëndësishme të opinionit, cili ishte kryeartikulli i medias? 'Anketat tregojnë se Obama kryeson nga mbrapa'. Madje kam parë tashmë njoftimet e hershme rreth darkës së sontme. Kryeartikulli: 'Obama mbështetet nga katolikët, Romney darkoi me njerëz të pasur”.

Edhe Presidenti Obama vuri në lojë pasurinë e zotit Romney, duke theksuar se gjatë ditës ai kishte shkuar “për të blerë në disa dyqane” ndërsa zoti Romney "kishte shkuar për t’i blerë dyqanet".

Presidenti Obama vuri në lojë edhe veten e tij për debatin e parë presidencial, gjatë të cilit shumë njerëz thanë se ai dukej i lodhur dhe jo i interesuar.

“Kjo është hera e tretë që Guvernatori Romney dhe unë jemi takuar kohët e fundit. Ashtu si disa prej jush mund ta keni vënë re, unë pata shumë më tepër energji gjatë debatit të dytë. U ndjeva me të vërtetë i çlodhur, pas gjumit që bëra në debatin e parë”.

Të dy kandidatët do të takohen për debatin e tretë dhe të fundit presidencial të hënën në shtetin e Floridës.

Darka e organizuar nga Fondacioni përkujtimor Alfred E. Smith, i cili mban emrin e ish guvernatorit demokrat të Nju Jorkut dhe kandidatit të parë katolik për president në vitin 1928, pritej të grumbullonte 5 milion dollarë për bamirësi të kishës katolike.
XS
SM
MD
LG