Lidhje

Kandidatët Obama, Romney përgatiten për debatin


Presidenti Barak Obama dhe rivali i tij Mitt Romney do të jenë jashtë syrit të publikut këto ditë, duke u përgatitur për debatin e tyre të parë presidencial në televizion. Presidenti Obama po takohet me këshilltarët e fushatës së tij në një pike pushimi në shtetin e Nevadës.

Dje ai mori pjesë në një tubim në Las Vegas, ku ishin të pranishëm 11 mijë vetë. Presidenti bëri shaka, duke thënë me modesti se ai është “OK” në debat krahasuar me rivalin e tij Mitt Romney, të cilin ai e përshkroi si një “debatues të mirë”. Por zoti Obama tha se ai donte që debati i së mërkurës të kishte të bënte më tepër me aftësinë e kandidatëve se sa me batutat, që synojnë të venë në lojë kundërshtarin.

Zoti Romney po takohet sot me këshilltarët në shtetin e tij Massachusetts, para se të shkojë në Denver të Kolorados, ku do të mbahet debati i së mërkurës. Ndryshe nga fushata e zotit Romney, njëri prej aleatëve të tij republikanë, guvernatori i New Jerseyt, Chris Christie, parashikoi dje se zoti Romney do të paraqitet aq mirë të mërkurën sa që e gjithë gara do të përmbyset ditën pas debatit.

Anketat e kohëve të fundit tregojnë se zoti Obama ka një avantazh të rëndësishëm ndaj zotit Romney në shumë prej të ashtuquajtura shtete të pavendosura, që pritet të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve të 6 nëntorit. Mbështetja për zotin Romney ra që kur u shfaq një video ku ai u thoshte përkrahësve të tij të pasur se 47 për qind e amerikanëve nuk paguajnë taksa dhe e konsiderojnë veten si viktima dhe që u takojnë ndihmat qeveritare. Debati i së mërkurës që do të mbahet në Universitetin e Denverit, do të përqëndrohet tek çështjet e brendshme, si ekonomia dhe shërbimi shëndetësor.
XS
SM
MD
LG