Lidhje

Obama, Romney drejt Ohajos për fushatë


Presidenti amerikan Barack Obama dhe Mitt Romney, kandidati i mundshëm presidencial republikan shkojnë sot në Ohio për fjalime të rëndësishme mbi pikëpamjet e tyre për ekonominë e dobët amerikane.

Zoti Obama do të flasë para një kolegji në Cleveland, ku ai pritet të argumentojë se planet e zotit Romney për zgjatjen e shkurtimit të taksave për të pasurit heqja e regulloreve të reja mbi sektorin financiar janë të ngjashme me masat e marra nga ish presidenti George W. Bush që çuan në recesionin ekonomik të vitit 2008.

Zoti Romney, i cili do të ndalojë në qytetin e Cincinnatit, kritikoi argumentat e presidentit gjatë një fjalimi dje para një grupi biznesmenësh në Uashington. Ish guvernatori i Massachusetts tha se ai beson se zoti Obama është elokuent por “fjalët nuk kanë peshë”. Ai akuzoi presidentin se është armiqësor ndaj biznesit dhe tha se zoti Obama nuk mund të marrë meritën e përmirësimit të ekonomisë që kur ai ka marrë postin.

Fjalimet e sotme në këtë shtet që ka shumë ndërmarrje prodhimi simbolizon rëndësinë e Ohios si për zotin Obama edhe për zotin Romney në zgjedhjet e nëntorit. Asnjë kandidat presidencial në vitet e fundit nuk ka fituar garën për në Shtëpinë e Bardhë pa fituar në këtë shtet.
XS
SM
MD
LG