Lidhje

Kuvendet e partive, provë për kandidatët presidencialë


Ndërsa afrohet faza e ardhshme e fushatës, partitë bëhen gati për të shpalosur qëndrimet e tyre dhe të kandidatëve

Faza e ardhshme e fushatës presidenciale është duke u afruar, me kuvendet demokrate dhe republikane. Republikanët mblidhen në Tampa të Floridës, më 27 gusht për t’i dhënë emërimin zyrtar kandidatit Mitt Romney. Demokratët do të mblidhen në Charlotte të Karolinës së Veriut javën pasuese për të emëruar si kandidat për një mandat të dytë Presidentin Barack Obama.

Reklamat negative nga të dyja palët kanë mbushur frekuencat televizioneve dhe kandidatët po i marrin ato personalisht.

“Pala tjetër mendon se kompromisi është një fjalë e ndaluar. Dhe ata shpenzojnë një pjesë të madhe të kohës duke u përpjekur që të më sulmojnë mua, në vend që ta çojnë vendin përpara”, tha presidenti Obama.


“Prandaj zoti President, merre me vete fushatën e përçarjeve dhe zemërimit dhe urrejtjes në Çikago dhe na lejo të ecim përpara me rindërtimin e Amerikës”.

Mitt Romney ka ringjallur energjinë e konservatorëve me zgjedhjen e kongresmenit të Uiskonsit Paul Ryan si kandidat për nënpresident.

Por demokratët i kanë vënë në shënjestër planet e mëparshme të zotit Ryan për të reformuar programin qeveritar për shëndetin e të moshuarve, Medicare.


“Tani e dimë që sllogani për shpresë dhe ndryshim është kthyer në sulm dhe fajësim. Ne nuk fajësojmë njerëz të tjerë. Ne do të marrim përgjegjësinë”, tha kandidati për nënpresident, Paul Ryan.

Zoti Romney ka një shans për ta prezantuar edhe një herë veten në Kuvendin Republikan në Tampa, thotë analisti Norman Ornstein.


“Romney ka tani një shans që të tregojë se nuk është njeriu i pasur, hijerëndë, zemërkeq dhe që nuk kupton problemet e përditshme, por një familjar i dashur që shqetësohet për të tjerët dhe i zoti për të ecur përpara”.

Sipas anketave, votuesit e pëlqejnë më shumë si njeri Presidentin Obama sesa zotin Romney, por ai është në pozitë të brishtë politike për shkak të ekonomisë së dobët”.

Presidenti po përpiqet të bindë votuesit se ditët më të mira janë përpara

“Unë do të zgjohem çdo ditë për të luftuar me të gjitha forcat për ju. Do të mendoj për ju dhe do t’ju përfaqësoj dhe do të luftoj për ju. Unë këtë premtim e kam mbajtur, Iowa”.

Zoti Obama do të përballet me një sfidë të ndryshme kur të flasë para demokratëve në kuvendin e tyre në Charlotte të Karolinës së Veriut në shtator, thotë zoti Ornstein.


“Ai duhet ta vërë theksin tek arritjet, përfshirë vrasjen e Osama bin Ladenit, që tregojnë se është një vendim-marrës i prerë dhe i vendosur”.

Kuvendet politike kanë ndryshuar që nga ditët ku atje vërtet zgjidheshin kandidatët, thotë anketuesi i qendrës Quinnipiac, Peter Brown.


“Ato shërbejnë për të ta nxjerrë secilën parti nën dritën më të mirë dhe për t’u treguar votuesve se ku qëndron partia, se cili është kandidati dhe çfarë qëndrimesh ka ai”.

Pas kuvendeve, prova tjetër madhore e fushatës do të jenë një numër debatesh të kandidatëve duke filluar nga 3 tetori.

XS
SM
MD
LG