Lidhje

Presidenti Obama shënon përfundimin e luftës në Irak


Presidenti amerikan Barak Obama shënoi dje përvjetorin e dytë të përfundimit të luftës në Irak, me një vizitë në një bazë ushtarake në Teksas. Presidenti do të shpenzojë fundjavën e Ditës së Punës duke zhvilluar fushatë, ashtu si kundërshtari i tij republikan, Mitt Romney.

Dy vjet pasi njoftoi fundin e operacioneve të mëdha luftarake amerikane në Irak, zoti Obama shkoi sërish në Fort Bliss, për të nderuar ushtarët që luftuan në luftë.

"Pas gati nëntë vjetësh, lufta jonë në Irak mori fund. Sot, Iraku ka mundësi të drejtojë fatin e vet. Nuk ka trupa amerikane që luftojnë dhe vdesin në Irak. Në këtë përvjetor, ne nderojmë kujtimin e të gjithë atyre që dhanë jetën atje."

Presidenti tha se ushtria përballet me një luftë të ashpër në Afganistan, por ai premtoi se lufta do të mbyllet në mënyrë të përgjegjshme, me kalimin nën kontrollin afgan të përfunduar deri në fund të vitit 2014.

Zoti Obama i bëri thirrje Kongresit të miratojë një plan për reduktimin e deficitit që shmang shkurtime të mëdha në buxhetin ushtarak.

"Nuk ka asnjë arsye që këto shkurtime të kryen. Njerëzit në Kongres duhet të bashkohen dhe të bien dakord mbi një plan të përgjegjshëm që redukton deficitin dhe e mban ushtrinë tonë të fortë."

Zoti Obama anuloi një nga dy ndalesat e fushatës që kishte planifikuar për të hënën në Ohajo. Në vend të saj, ai do të shkojë në Luiziana për të shqyrtuar përgjigjen e qeverisë ndaj uraganit Isaac.

Kandidati republikan Mitt Romney shkoi në Luiziana dje për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga stuhia.

Para se të largohej nga Florida, ku u mbajt kuvendi kombëtar i partisë së tij, ish-guvernatori i Masaçusetsit u kërkoi përkrahësve në shtetin e pavendosur të vazhdojnë të punojnë për zgjedhjen e tij në muajt e ardhshëm.

"Unë kam nevojë për punën tuaj që më 6 nëntor të zgjidhem president i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara. Kjo duhet të ndodhë këtu në Florida. Dhe që kjo të ndodhë, ju do të gjeni atë një apo ata dy persona që kanë votuar për Barak Obamën. Unë e di që ata janë këtu. Ata nuk janë aq të dukshëm sa ishin më parë."

Me përfundimin e Kuvendit Kombëtar të Partisë Republikane, zoti Romney filloi një periudhë intensive të fushatës.

Presidenti Obama, pas Teksasit, do të vizitojë shtetet e Ajovas dhe Kolorados për herë të dytë gjatë kësaj jave, para se ta shkojë në Ohajo, Virxhinia dhe Luiziana.

Zoti Obama do të pranojë zyrtarisht emërimin e partisë së tij për t’u rizgjedhur në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, të enjten e ardhshme në Charlotte, të Karolinës së Veriut.
XS
SM
MD
LG