Lidhje

Takimi i OKB-së: Obama, Rouhani në qendër të vëmendjes

  • Margaret Besheer

Presidenti amerikan Barak Obama tha para Asamblesë së Përgjithëshme të OKB-së se ai është i gatshëm të shqyrtojë shkrirjen e marrëdhënieve me Iranin, ndërkohë që bëri thirrje për pasoja për Sirinë, nëse qeveria e Assadit nuk vepron në përputhje me marrëveshjen për ndalimin e armëve të saj kimike. Presidenti Obama dhe presidenti i ri i Iranit Hassan Rouhani ishin në qendër të vëmendjes në takimin e djeshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Presidenti iranian Rouhani tha se vendi i tij është i gatshëm të angazhohet në bisedime serioze rreth programit të tij bërthamor.

Presidenti Obama e filloi debatin vjetor, duke thënë se në frontin e politikës së jashtme ai do të përdorë vitet e mbetura të mandatit të tij për të gjetur një zgjidhje për dy çështje të veçanta:

"Përpjekja e Iranit për të prodhuar armë bërthamore dhe konflikti arabo-izraelit. Megjithëse këto çështje nuk janë shkaku i të gjitha problemeve të rajonit, ato kanë qenë një burim i madh i paqëndrueshmërisë për një kohë të gjatë, dhe zgjidhja e tyre mund të shërbejë si një bazë për vendosjen e një paqeje më të gjerë."

Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk po kërkojnë ndryshimin e regjimit në Iran, dhe se ato respektojnë të drejtën e popullit iranian për të patur qasje në energjinë bërthamore me synime paqësore. Por ai shtoi se mosbesimi ndaj Iranit është i thellë dhe nuk mund të tejkalohet shpejt.

"Por, unë besoj se nëse mund ta zgjidhim çështjen e programit bërthamor të Iranit, kjo mund të shërbejë si një hap i madh drejt një marrëdhënie tjetër, të bazuar në interesat dhe respektin reciprok".

Në lidhje me krizën në Siri, ku më shumë se 100 mijë njerëz janë vrarë deri tani, presidenti Obama tha se marrëveshja amerikano - ruse për eliminimin e arsenalit të armëve kimike të qeverisë së Assadit duhet t’i jap energji përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje politike të konfliktit.
Vëmendjen në takimin e Assambles së Përgjithshme të OKB-së ishte e ndarë mes presidentit Obama dhe presidentit të ri iranian Hassan Rouhani. Presidenti Rouhani e ka portretizuar veten si një udhëheqës më i moderuar se paraardhësi i tij i vijës së ashpër, Mahmud Ahmadinexhad.
Presidenti Rouhani tha se Irani është i gatshëm që menjëherë të zhvillojë bisedime për të ndërtuar besimin reciprok në lidhje me programin bërthamor të vendit të tij.

"Interesat tona kombëtare e bëjnë të domosdoshëm heqjen e të gjitha shqetësimeve të arsyeshme në lidhje me programin tonë bërthamor paqësor."

Ai gjithashtu kritikoi sanksionet ndërkombëtare kundër Iranit, duke thënë se ato i dëmtojnë vetëm qytetarët e thjeshtë e jo shtetin.
Por, pas shjenjave që sugjeronin se ai dëshiron përmirësimin e marrëdhënieve me Perëndimin, një takim i pritur mes tij dhe presidentit Obama nuk u realizua në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Një zyrtar amerikan tha se iranianët mendonin se realizimi i takimit në këtë fazë do të ishte shumë i vështirë.

Siria ishte në qendër të vëmendjes së udhëheqësve të tjerë, përfshirë Mbretin Abdullah të Jordanisë. Jordania strehon gati 1 milion refugjatë sirianë dhe kjo është një barrë e rëndë për këtë vend.

"Këto nuk janë vetëm shifra, ata janë njerëz të cilët kanë nevojë për ushqim, ujë, strehim, energji elektrike, kujdes shëndetësor dhe shumë gjëra të tjera."

Nga Afrika, Presidenti nigerian Goodluck Jonathan shprehu shqetësimet në lidhje me terrorizmin në rajon, përfshirë sulmin në një qendër tregtare në Kenia. Ai tha se pirateria është një tjetër kërcënim për kontinentin.

Ndërsa Presidentja e Brazilit, Dilma Rousseff , e përdori shumicën e kohës nga fjalimi i saj për të kritikuar Shtetet e Bashkuara në lidhje njoftimet e fundit për përgjimin e komunikimeve të brendshme të qeverisë së saj. Ajo tha se e drejta për sigurinë e qytetarëve të një vendi nuk mund të sigurohet përmes shkeljes së të drejtave njerëzore dhe qytetare të njerëzve të një vendi tjetër.

Sot, do të vazhdojnë fjalimet dhe do të zhvillohen një numër takimesh të nivelit të lartë për çështjen e Sirisë dhe çështje të tjera globale.
XS
SM
MD
LG