Lidhje

Obama: Masa mbikqyrjeje mbi programet e përgjimit


Presidenti Barak Obama njoftoi dje hapa të reja për të siguruar amerikanët për programet elektronike të përgjimit që shërbejnë për të mbrojtur vendin nga terrorizmi. Zoti Obama foli edhe për marrëdhëniet me Rusinë, kërcënimet nga al-Kaida dhe grupe të lidhura me këtë rrjet terrorist.

Zoti Obama njoftoi hapat që ai thotë se do të rrisin transparencën dhe do të rikthejnë besimin e publikut tek programet qeveritare të përgjimit.

Kjo çështje ka qenë temë e një debate të ndezur kombëtar që kur ish-analisti Edward Snowden publikoi hollësi të metodave elektronike që përdoren në luftën kundër terrorizmit.

Zoti Obama tha se do të punojë me Kongresin për të realizuar reformat e nevojshme përfshirë masa më të forta kontrolli dhe transparence, mbi programin që mbledh tabulatet telefonike të cilin ai e cilësoi si një mjet të rëndësishëm për të parandaluar komplotet terroriste.

Ai bëri gjithashtu thirrje për masa që u japin amerikanëve më shumë besim në vendimet e Gjykatës për Shërbimet e Zbulimit, përfshirë masa për të garantuar një vëmendje të veçantë për çështje të privacisë dhe për liritë civile.

Ndërkohë që zoti Obama bënte komente, Departamenti i Drejtësisë dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare nxorën dokumenta me informacion shtesë për programet e zbulimit.

Presidenti dha gjithashtu udhëzime për krijimin e një grupi ekspertësh për të rishikuar teknologjinë e zbulimit dhe përgjimit, në kushtet e sfidave të reja për parandalimin e sulmeve terroriste.

"Të gjithë këto hapa synojnë të bindin amerikanët se përpjekjet tona janë në përputhje me interesat dhe vlerat tona. Dua t’ia bëj të qartë të gjithë botës se Amerika nuk është e interesuar të përgjojë njerëz të thjeshtë. Synimi ynë është të gjejmë informacionin e nevojshëm për të mbrojtur popullin tonë dhe në disa raste edhe aleatët tanë”.

Zoti Obama iu përgjigj edhe pyetjeve për vendimin e tij për të anuluar takimin me Presidentin rus Vladimir Putin, pjesërisht si rezultat i vendimit të Moskës për t’i dhënë Snowdenit status azilanti.

Duke thënë se nuk ka marrëdhënie të këqija personale me zotin Putin, Presidenti Obama solli si shembull bashkëpunimin me Rusinë në çështje si Afganistani, Irani dhe reduktimi i armëve bërthamore.

Presidenti i cilësoi tensionet e fundit si dëshmi e disa mospajtimeve mes dy vendeve si për,shembull në lidhje me Sirinë apo respektimin e të drejtave të njeriut.

"Ndoshta është me vend të bëjmë një pauzë, të ri-analizojmë çfarë drejtimi ka marrë Rusia dhe të rikalibrojmë marrëdhënien tonë me qëllim që të bëjmë atë që u shërben interesave të Shteteve të Bashkuara dhe shpresojmë edhe interesave të Rusisë. Por duhet të pranojmë se do të ketë mospajtime që nuk do të mund t’i injorojmë”.

Presidenti Obama vuri në dukje se do të marrë pjesë në takimin e Grupit të 20 në Shën Peterburg. Ai përjashtoi mundësinë e bojkotimit të Lojërave Olimpike të 2014 në Soçi në shenjë protestë ndaj ligjit anti-homoseksualëve në Rusi.

Presidenti Obama së bashku me familjen nisen sot për pushime në ishullin Martha’s Vineyard pranë Bostonit në brigjet e oqeanit Atlantik.
XS
SM
MD
LG