Lidhje

Obama: Rusia nuk po e respekton marrëveshjen për Ukrainën


Presidenti Barak Obama tha se Rusia nuk po e respekton marrëveshjen e Gjenevës për zbutjen e krizës në Ukrainë dhe se nuk ka shpresa që rusët ta zbatojnë marrëveshjen.

Në një konferencë shtypi në Tokio me kryeministrin japonez Shinzo Abe, presidenti tha se Rusia nuk ka zgjedhur atë që ai e quajti "rrugë të mençur" dhe se ekziston mundësia për sanksione më të ashpra.

"Të paktën deri tani, kemi parë se ata nuk po veprojnë në përputhje me frymën apo gërmën e marrëveshjes së Gjenevës. Ne vazhdojmë të shohim njerëz dashakeqë dhe të armatosur që uzurpojnë ndërtesa dhe provokojnë ata që nuk binden, duke destabilizuar rajonin; nuk kemi parë që Rusia të marrë masa për ta shkurajuar këtë," tha Presidenti Obama.

Zoti Obama u tha gazetarëve se Ukraina po ndërmerr hapa konkrete në përputhje me marrëveshjen e javës së kaluar në Gjenevë. Kjo përfshin ofrimin e amnistisë për separatistët e armatosur pro-rusë të cilët kanë marrë ndërtesat qeveritare në Ukrainën lindore.

Persona të armatosur pro-rusë po kërkojnë të drejtën për të mbajtur referendume mbi shkëputjen nga Ukraina dhe bashkimin me Rusinë. Një referendum muajin e kaluar në Krime çoi në aneksimin e gadishullit ukrainas nga Rusia.
XS
SM
MD
LG