Lidhje

Obama kërkon mbështetje për sulm ndaj Sirisë


Presidenti amerikan Barak Obama po u kërkon udhëheqësve të Grupit të 20-shes që janë mbledhur në Rusi që të mbështesin një goditje të mundshme ushtarake të Shteteve të Bashkuara kundër Sirisë.

Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi se do ta shtonte Sirinë në rendin e ditës së takimit sot, pak pas mbërritjes së pjesëmarrësve në Shën Petërburg, ku po mbahet takimi.

Në seancën e hapjes, zoti Putin tha se disa udhëheqës botërorë, i kishin kërkuar që në takim t’i lihej vend “diskutimit të disa çështjeve të ngutshme të politikë ndërkombëtare”, sidomos Sirisë. Ai tha se bisedimet mund të zhvillohen gjatë darkës së punës së udhëheqësve botërorë të enjten.

Kriza në Siri nuk është në axhendën zyrtare të takimit dy-ditor për ekonominë globale, por Presidenti Obama dhe udhëheqës të tjerë kanë biseduar për këtë në takimet mes tyre. Presidenti po kërkon një mbështetje më të gjerë, si brenda vendit, edhe jashtë, për një sulm ushtarak kundër qeverisë siriane, e cila akuzohet se ka përdorur armë kimie ndaj civilëve.

Rusia, furnizuesi kryesor me armë i Sirisë, dhe Kina u kanë vënë veton tre rezolutave të Këshillit të Sigurimit që kërkonin ndëshkimin e qeverisë së Presidentit Asad.

Një këshilltar i Shtëpisë së Bardhë tha se ende nuk ka plane për një takim dypalësh mes Presidentit Obama dhe Presidentit rus Vladimir Putin, por dy udhëheqësit, tha ai, me siguri do të kenë rast të shkëmbejnë mendime privatisht.

Shtëpia e Bardhë tha gjithashtu se zyrtarët amerikanë do të vazhdojnë të diskutojnë me rusët rreth dëshmive që kanë për sulmin me armë kimike në Siri dhe rreth shkallës së besueshmërisë që kanë se sulmi është kryer nga regjimi i Assadit.

Presidenti rus tha dje se ai nuk e përjashton mundësinë që ta mbështesë një goditje ushtarake nëse ekzistojnë prova bindëse se qeveria siriane ka përdorur armë kimike. Por zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se nuk dëshirojnë zgjatjen e debatit nëse pati ose jo një sulm me armë kimike, të cilin, theksojnë ata, të gjithë e panë me sytë e tyre më 21 gusht. Ata shprehin skepticizëm se Rusia do të ndryshojë pikëpamje në Këshillin e Sigurimit.


Ndërkohë, Kina i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të mos ndërmarrin veprime të njëanshme kundër Sirisë.


"Veprimet ushtarake të njëanshme shkelin ligjin ndërkombëtar dhe parimet e marrëdhënieve ndërkombëtare, e ndërlikojnë problemin sirian dhe sjellin trazira të mëtejshme në Lindjen e Mesme," tha zëdhënësi i Ministrisë së jashtme kineze, Hong Lei.

Zyrtarë të tjerë kinezë kanë thënë gjithashtu se çdo veprim ushtarak kundër Sirisë do të shkaktonte një rritje në çmimet e naftës dhe do të kishte një "ndikim negativ" mbi ekonominë globale.

XS
SM
MD
LG