Lidhje

Obama: SHBA dhe Evropa të veprojnë kolektivisht ndaj Rusisë


Presidenti amerikan Barak Obama thotë se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet të veprojnë bashkarisht për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë për veprimet e saj në Ukrainë që ai thotë se kërcënojnë pavarësinë dhe sovranitetin e atij vendi.

Presidenti Obama tha sot në Malajzi se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet të veprojnë në mënyrë kolektive, duke i treguar Rusisë se bota është e bashkuar.

"Sa më të bashkuar që jemi aq më të efektshme do të jenë veprimet tona. Për shembull nëse ne themi se do të ndalojmë shitjen e armëve Rusisë, por kontraktorët evropianë të mbrojtjes vazhdojnë t’i përmbushin kontratat e tyre të shitjes së armëve, atëherë kjo nuk do të ishte e efektshme. Do të ishte më e efektshme nëse të gjithë janë të angazhuar për këtë çështje".

Zoti Obama tha se me Rusinë është arritur një marrëveshje për lehtësimin e krizës, por "Moska nuk ka ndihmuar aspak në zbatimin e saj".

Dje, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry kërkoi mbështetjen "pa kushte" të Rusisë në përpjekjet për lirimin e vëzhguesve evropianë të OSBE-së.

Kryebashkiaku i vetëshpallur i qytetit (Slovyansk, Vyacheslav Ponomaryov) ku po mbahen vëzhguesit evropianë thotë se ata mund të lirohen në qoftë se lirohen rebelët e arrestuar.


"Junta e Kievit ka ndaluar shokët tanë. Prandaj, nëse është e mundur, ne jemi të gatshëm për shkëmbimin e të ndaluarve".

Ai thotë se qeveria ruse nuk ka qenë në kontakt me të për të diskutuar mbi lirimin e vëzhguesve ndërkombëtarë.

Ndërkohë, grupi i vëzhguesve evropianë të ndaluar nga kryengritësit pro-rusë në Ukrainën lindore u shfaq sot në publik, duke thënë se nuk janë duke u keqtrajtuar, edhe pse kanë filluar negociatat për lirimin e tyre. Nën vëzhgimin e rebelëve të armatosur, koloneli gjerman Axel Schneider i siguroi gazetarët në Slovyansk se të gjithë ishin mirë me shëndet. Kryengritësit i cilësuan të burgosur lufte tetë vëzhguesit ushtarakë evropianë. Schneider tha se i kishin marrë peng për arsye politike.
XS
SM
MD
LG