Lidhje

Obama: Sanksione shtesë ndaj Rusisë


President Barack Obama speaks at the White House, March 20, 2014

President Barack Obama speaks at the White House, March 20, 2014

Presidenti Obama njoftoi sot sanksione të tjera ndaj Rusisë për shkak të ndërhyrjes së saj në Krime. Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Obama tha se sanksionet e reja prekin zyrtarë të tjerë rusë të përfshirë në marrjen e Krimesë nga Rusia.

Mes personave që preken nga sanksionet janë shefi i kabinetit të Presidentit rus Vladimir Putin, bankieri i tij dhe miq të tij të ngushtë.

Presidenti Obama tha gjithashtu se ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që do të lejojë Shtetet e Bashkuara të penalizojnë sektorët kyç të ekonomisë ruse. Sanksionet përfshijnë edhe biznesmenë që kanë mbështetur materialisht politikat ruse si dhe një bankë.

Presidenti Obama tha se këto masa ndëshkuese janë rezultat i veprimeve të qeverisë ruse, që janë refuzuar nga komuniteti ndërkombëtar. Ai tha se me veprimet e saj, Rusia po e izolon më tej veten nga bashkësia ndërkombëtare.

"Parimet bazë që udhëheqin vendet në Evropë dhe në të gjithë botën duhet të vazhdojnë të jenë në fuqi në shekullin e 21. Kjo përfshin respektin për sovranitetin dhe tërësinë tokësore. Është ideja se vendet e ndryshme nuk i ndryshojnë kufijtë dhe as marrin vendime në kurriz të fqinjëve thjesht sepse janë më të mëdhenj dhe më të fuqishëm," tha Presidenti Obama.

Masat e njoftuara sot pasojnë një raund të parë sanksionesh ekonomike të vëna në fillim të javës ndaj 11 personave që SHBA thonë se ishin të përfshirë në mosmarrëveshjet për Ukrainën.

Presidenti bëri të ditur se urdhëri ekzekutiv që ka nënshkruar i lejon administratës t’i shkallëzojë sanksionet në të ardhmen, nëse Rusia vazhdon në të njejtën rrugë. Këto sanksione, tha presidenti, mund të përfshijnë edhe sektorë të tërë të ekonomisë së Rusisë.

Rusia futi ushtrinë e saj në gadishullin ukrainas të Krimese tre javë më parë dhe ka aneksuar tashmë këtë rajon të rëndësishëm strategjik në kufijtë e saj. SHBA e kanë deklaruar inkursionin e Rusisë në Krime një shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe nuk e njohin aneksimin e saj nga Moska.

Presidenti Obama tha se është thellësisht i shqetësuar rreth gjendjes në Krime dhe se po punon me aleatët evropianë për të formuluar kundërpërgjigjen ndaj veprimeve të Rusisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG