Lidhje

Obama: Sanksionet e kanë izoluar edhe më tej Gadafin

  • Kent Klain

Obama: Sanksionet e kanë izoluar edhe më tej Gadafin

Obama: Sanksionet e kanë izoluar edhe më tej Gadafin

Presidenti Barak Obama, thotë se sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe ato ndërkombëtare e kanë izoluar edhe më tej udhëheqësin e Libisë, Muamar Gadafi. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kent Klain, na informon nga Shtëpia e Bardhë se presidenti nuk ka vendosur ende nëse do të ndërmarrë ndonjë hap ushtarak, por ende po shqyrton mundësinë e vendosjes së zonës së ndalim-fluturimeve.

Ndërsa forcat besnike të zotit Gadafi duket se po shtojnë epërsinë, Presidenti Obama thotë se masat ndërkombëtare po e izolojnë edhe më tej udhëheqësin libian.

"Ne po e shtrëngojmë rrethimin e Gadafit. Ai është gjithnjë e më i izoluar nga komuniteti ndërkombëtar, si nëpërmjet sanksioneve ashtu edhe embargos së armëve”.

Në një konferencë shtypi dje në Shtëpinë e Bardhë, zoti Obama u tha gazetarëve se nuk ka përjashtuar asnjë masë ushtarake apo jo-ushtarake dhe se po këshillohet intensivisht me udhëheqës të tjerë botërorë.

Presidenti tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë vepruar shumë shpejt për t’i vënë sanksione zotit Gadafi. Ai tha se Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera kanë ngrirë gjithashtu me shpejtësi më shumë se 30 miliardë dollarë pasuri libiane dhe kanë organizuar ndihmat humanitare.

Zoti Obama tha se Uashingtoni po kryeson gjithashtu diskutimet në NATO lidhur me opcione te tjera që përfshijnë vëzhgimin 24 orësh të Libisë, një embargo më të rreptë armësh, përpjekjet për ndihmë të mëtejshme humanitare dhe vendosjen e zonës së ndalim-fluturimeve.

"NATO-ja do të takohet të martën për të shqyrtuar zonën e ndalim-fluturimeve dhe ne do të zhvillojmë diskutimeve si me vendet arabe ashtu edhe ato afrikane për të siguruar mbështetje për veprimet tona”.

Pesidenti pranoi se e shqetëson mundësia se zoti Gadafi mund të bëhet edhe më i rrezikshëm nëse izolohet. Por ai tha se kjo thekson nevojën për një presion më të madh nga komuniteti ndërkombëtar ndaj udhëheqësit libian dhe njerëzve të tij që të largohen nga pushteti.

"Gadafi ka një arsenal të madh armësh. Ai jo vetëm ka trupat e tij besnike, por ka njoftime se ai ka marrë edhe mercenarë. Edhe me ngrirjen financiare nga ana jo, ai ende ka disa burime pasurish. Grupet kryengritëse sapo kanë filluar të organizohen,prandaj ne duhet të vazhdojmë të ushtrojmë presion”.

Presidenti Obama përsëriti pikpamjen e tij se bota duhet të parandalojë çdo vrasje masive të civilëve. Megjithatë, ai tha se i mbetet të vendosë nëse do të ndërhyjë në bazë të rrethanave specifike dhe duke u këshilluar me udhëheqësit e tjerë botërorë.

"Jo vetëm Shtetet e Bashkuara, por edhe komuniteti ndërkombëtar janë të detyruar të parandalojnë ngjarje si ato të ndodhën në Ballkan në vitet 90-të, apo si ato në Ruandë”.

Presidenti tha se donte ta bënte te qartë se “bota po ndjek” veprimet e zotit Gadafi ndaj opozitës Libiane dhe se ai është “në faqen e errët të historisë”.

"Populli libian është i etur për liri dhe për largimin e dikujt që e ka shtypur për dekada me radhë. Ne do të qendrojmë në kontakt me opozitën libiane si dhe do të vazhdojmë këshillimet me komunitetin ndërkombëtar në përpjekje për të realizuar qëllimin që zoti Gadafi të largohet nga puushteti”.

Zoti Obama tha se është në kontakt të vazhdueshëm me udhëheqësit e disa vendeve të Lindjes së Mesme. Ai u ka thënë atyre se Shtetet e Bashkuara besojnë në të drejtën e njerëzve për të protestuar paqësisht dhe se është në interesin e të gjithëve reformimi politik dhe ekonomik i rajonit.

XS
SM
MD
LG