Lidhje

SHBA: Takimi Obama-Sarkozi në Shtëpinë e Bardhë

  • Zëri Amerikës

Presidenti Barak Obama dhe presidenti francez Nikola Sarkozi zhvilluan bisedime mbi një sërë çështjesh në Shtëpinë e Bardhë, duke përfshirë ekonominë globale, përpjekjet për vendosjen e sanksioneve të ashpra ndaj Iranit për ambiciet e tij bërthamore dhe situatën në Afganistan. Bisedimet u zhvilluan në një atmosferë ku mbizotërojnë pyetje për tendosjen e marrëdhënieve, bashkëpunimin francez në lidhje me përpjekjet ushtarake dhe civile në Afganistan, dhe hapa për vendosjen e masave rregullatore më të fuqishme në sistemin global financiar.

Të hënën, presidenti Sarkozi foli hapur gjatë një fjalimi në Universitetin e Kolumbias në qytetin e Nju Jorkut.

Ai tha se një vend i vetëm nuk mund ta udhëheqë botën dhe u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të miratojnë masat rregullatore financiare për të shmangur një krizë të re të sistemin financiar global.

“Prandaj ju bëj thirrje që të mbështesni presidentin tuaj për masat rregullatore, mbrojtjen e mjedisit, dhe kur bëhet fjalë për të dëgjuar të tjerët, sepse në botën e shekullit 21, fuqia numër një në botë nuk mund të mos jetë e hapur për të dëgjuar pjesën tjetër të botës.”

Por dje në Shtëpinë e Bardhë, dy krerët e shteteve u përpoqën të eliminonin spekullimet për një tendosje marrëdhëniesh, kur presidenti Obama iu referua presidentit Sarkozi si miku i tij.

“Gjatë vitit të fundit, zoti Sarkozi dhe unë kemi bashkëpunuar në shumë raste. Ne respektojmë dhe e kuptojmë njëri tjetrin, si dhe pajtohemi se përmes veprimeve të guximshme dhe pragmatike, brezi ynë mund ta kthejë harkun historik drejt drejtësisë dhe përparimit.”

Zoti Sarkozi, duke folur përmes një përkthyesi, tha se marrëdhënia e tij me presidentin Obama kishte qenë e afërt.

“Fjala e tij është besa e tij. Dhe kjo është shumë e rëndësishme. Ne gjithmonë bëjmë shaka dhe themi se nuk na pëlqejnë të papriturat. Ai i pranon gjërat që mundet dhe nuk mundet të bëjë. Prandaj nuk ka të papritura.”

Dy udhëheqësit diskutuan Afganistanin, ku Franca ka rreth 4 mijë trupa ushtarake dhe specialistë stërvitjeje.

Më herët, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Robert Gibs tha se presidenti Obama nuk do t’i kërkonte Francës shtimin e trupave.

Presidenti Sarkozi e quajti suksesin në Afganistan qenësor për sigurinë e Shteteve të Bashkuara, Francës dhe Evropës.

“Ne duhet të kemi guximin ta çojmë strategjinë tonë deri në fund dhe ta bëjmë të qartë se nuk ka alternativë tjetër.”

Diskutimet përfshinë ambiciet bërthamore të Iranit dhe qëndrimin sfidues ndaj kërkesave për pezullimin e pasurimit të uraniumit.

Presidenti Obama tha se shpreson të marrë një vendim për sanksione të reja të OKB-së brenda disa javësh.

“Porta mbetet e hapur nëse iranianët duan të hyjnë, por ata e kuptojnë shumë mirë se cilat do të ishin kushtet e një zgjidhjeje diplomatike dhe ndërkohë ne do të vendosim një regjim më të fortë sanksionesh të OKB-së.”

Në lidhje me Lindjen e Mesme, presidenti Sarkozi e dënoi Izraelin për vendbanimet në territorin e marrë gjatë luftës së vitit 1967. Ai vlerësoi lart përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në përpjekjet e paqes.

Zoti Sarkozi bëri një vizitë në Kongresin amerikan ku u informua mbi hapat që po merren për reformimin e masave rregullatore financiare.

Zoti Sarkozi ndaloi edhe tek një shkollë fillore e Uashingtonit ku u lexoi fëmijëve një tregim të famshëm për Madalenën, një vajzë amerikane që jetonte në një shtëpi të vjetër në Paris.

XS
SM
MD
LG