Lidhje

Takim Obama-mbreti Salman


Presidenti Barack Obama do të presë të premten në Shtëpinë e Bardhë mbretin saudit Salman në kuadrin e luftës në Irak, Jemen dhe Siri, si dhe mes shqetësimeve lidhur me qëndrimet e Iranit. Kjo do të jetë vizita e parë e mbretit saudit në Shtetet e Bashkuara që kur ai mori fronin e Mbretërisë së Arabisë Saudite në janar, pas vdekjes së mbretit Abdullah.

Bisedimet kokë më kokë mes Presidentit Obama dhe mbretit saudit Salman vijnë në një kohë me shumë trazira në Lindjen e Mesme, ndërsa koalicioni nën drejtimin e SHBA lufton kundër militantëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri dhe koalicioni nën udhëhreqjen saudite godet rebelët huthi në Jemen, të cilët kanë mbështetjen e Iranit.

“Shumë faktorë në Gjirin Persik, në fakt e gjithë bota arabe, janë të shqetësuar lidhur me pozicionin e SHBA në Gji, lidhur me marrëveshjen bërthanore të Iranit, me çka po ndodh me zgjerimin e influencës së Iranit në vendet e Levantit, në Irak, në Jemen.”

Analisti në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare Anthony Cordesman, thotë se ndërsa takimi i së premtes në Shtëpinë e Bardhë mundet të mos sjellë ndonjë kthesë të ndjeshme në politikë, dialogu ka për të qenë tepër i rëndësishëm për të ndërtuar besimin e sauditëve, në veçanti për marrëveshjen e negociuar së fundi për programin bërthanor të Iranit:

“Ata duhet të dalin nga takimi tepër të bindur se SHBA kanë për ta zbatuar marrëveshjen, se nuk kanë për të lejuar shkelje dhe se do të mbajnë një qëndrim të prerë nda saj.”

Përveç marrëveshjes bërthamore, edhe sjellja e Iranit në rajon mundet të jetë një faktor në diskutimet e dy udhëheqësve për Irakun.

Ish-ambasadori amerikan Francis Ricciardone, tani në Këshillin Atlantik, thotë se Arabia Saudite ka interes që fqinji i vet verior të jetë i stabilizuar:

“Unë mendoj se diskutimi mes Presidentit Obama dhe Mbretit Salman për Irakun do të jetë shumë interesant, në kuptimin se çfarë do të bëjë secila palë për të mbështetur kryeministrin Abadi për të ruajtur qëndrueshmërinë në vend dhe forcimin e pavarësisë së tij nga një ndikim hegjemonist.”

Të dy udhëheqësit në këtë takim mundet të kërkojnë që t’i jepet shtytje përfundimit të luftimeve, të nxisin pajtimin politik dhe trajtimin e krizës humanitare, jo vetëm në Irak dhe Siri, por edhe në fqinjin jugor të Arabisë Saudite, Jemen, ku sulmet ajrore saudite vazhdojnë të bombardojnë objektivat e rebelëve huthi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG