Lidhje

Presidenti Obama synon riparimin e infrastrukturës së transportit


Presidenti Obama synon riparimin e infrastrukturës së transportit
Presidenti Obama synon riparimin e infrastrukturës së transportit

Presidenti Barak Obama ka paraqitur një plan për të nxitur rritjen ekonomike, duke përmirësuar dhe zgjeruar infrastrukturën e vjetëruar të transportit në Shtetet në Bashkuara. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Majkëll Bauman, njofton se zoti Obama foli me guxim dhe vendosmëri dje me rastin e shënimit të Ditës së Punës në Melluoki, Uiskonsin.

Si shumë shtete të tjera në rajonin qendror të vendit, që dikur ishin zemra e industrisë së prodhimit në Amerikë, shteti i Uiskonsinit u godit fuqishëm nga recesioni ekonomik dhe vazhdon të përballet me papunësi dyshifrore.

Në një manifestim që i ngjante tubimit parazgjedhor, Presidenti Obama u tha udhëheqësve të fuqisë punëtore dhe anëtarëve të sindikatave amerikane se vështirësitë ekonomike po vazhdojnë, megjithë përpjekjet e administratës së tij për të hapur vende pune.

"Tetë milion amerikanë mbetën pa punë nga ky recesion. Dhe ndonëse për tetë muaj rresht kemi pasur rritje në sektorin privat, vendet e reja të punës nuk janë hapur aq shpejt. Tani, e vërteta është se nuk ka ndonjë vegël magjike ose zgjidhje të menjëhershme për problemin."

Por zoti Obama tha se ka mënyra për të ndihmuar. Presidenti vuri në pah se administrata e tij tashmë ka përkrahur reformën financiare dhe shëndetësore dhe ka punuar për të lehtësuar koston e arsimit të lartë dhe për të prerë taksat për të gjithë me përjashtim të amerikanëve më të pasur. Qëllimi, tha ai, është që të përkrahet klasa e mesme amerikane, për të cilën thotë se është mbingarkuar dhe se mund t’i soset durimi.

Zoti Obama vuri në dukje se programi masiv i nxitjes ekonomike, që hyri në fuqi në fillim të administratës së tij, ka financuar mijëra projekte infrastrukturore në mbarë vendin. Tani, thotë ai, është koha për të nisur një plan me synime edhe më të mëdha.

"Gjatë gjashtë vjetëve të ardhshëm, do të rindërtojmë 240 mijë kilometra rrugë – aq sa për t’i rënë përqark botës gjashtë herë. Do të shtrojmë dhe riparojmë 6 mijë e 400 kilometra hekurudhë – aq sa për ta përshkuar vendin anembanë. Do të restaurojmë 240 kilometra pista avionësh dhe do të përsosim sistemin e kontrollimit të trafikut ajror për të shkurtuar kohëzgjatjen e udhëtimeve dhe pakësuar vonesat për udhëtarët amerikanë."

Zyrtarë të administratës thonë se plani do të kërkojë harxhime paraprake prej 50 miliard dollarësh. Presidenti u zotua se shpenzimet nuk do të thellojnë defiçitin, që tanimë përbën shqetësim për buxhetin federal, por nuk tha nëse do të ketë shkurtime të programeve ose rritje të taksave për të siguruar paratë.

Edhe nëse Kongresi përgjigjet shpejt duke e miratuar planin, zyrtarë të administratës e pranojnë se vende të reja të punës nuk do të krijohen deri në fillim të vitit të ardhshëm – disa kohë pas zgjedhjeve të sivjetshme për Kongres. Analistët thonë se rritja e ngadaltë ekonomike dhe papunësia e lartë po japin përshtypjen se Partia Demokratike e presidentit do të mund të përballej me humbje të thellë në zgjedhjet e nëntorit.

Republikanët e kanë quajtur të dështuar administrimin ekonomik të presidentit. Ata kritikuan nismën e presidentit për infrastrukturë disa orë para se ai ta shpallte atë zyrtarisht.

Udhëheqësi i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Xhon Bejnër, tha se për nxitjen e ekonomisë plani parasheh shpenzime shtesë, çfarë tashmë është provuar se nuk ka rezultat, dhe shtoi se qeveria duhet të ndërhyjë më pak në ekonominë e vendit dhe jo më tepër.

XS
SM
MD
LG