Lidhje

Obama analizon sfidat në konferencën e fundvitit


Presidenti Barak Obama thotë se po shqyrton mundësinë e kufizimit të programeve qeveritare të përgjimit që zbatohen nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare dhe parashikon të marrë në janar vendime mbi përmasat e përgjimit.

Zoti Obama u doli në mbrojtje praktikave të përgjimit në konferencën e fundvitit të zhvilluar dje në Shtëpinë e Bardhë, duke thënë se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për të dhënat e shërbimeve të zbulimit për të parandaluar sulmet terroriste kundër territorit dhe interesave amerikane. Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk mund të marrin një vendim për të qenë të vetmet “që çarmatosen”.

Megjithatë Presidenti tha se amerikanët kanë të drejtën të shqetësohen për “mundësinë e keqpërdorimit” të të dhënave që mbledh agjencia. Zoti Obama tha se programet e përgjimit do të jenë të suksesshme vetëm nëse amerikanët kanë besim në këto programe.

Presidenti i bëri komentet vetëm pak ditë pasi një gjykatës federal dha vendimin se mbledhja e tabulateve telefonike dhe të dhënave të komunikimit me internet nga qeveria, ku përfshihen numrat që telefonojnë amerikanët, data dhe gjatësia e telefonatave, është një akt që bie ndesh me kushtetutën. Një komision i pavarur sugjeroi kufizimin e disa programeve të përgjimit.

Presidenti foli për një numër temash para se të niset për në Havai me Zonjën e Parë dhe dy vajzat e çiftit për pushimet e fundvitit. Ai tha se nxjerrja e hollësive të programeve që zbaton Agjencia për Sigurinë Kombëtare nga ish-kontraktori Edward Snowden, ka dëmtuar marrëdhëniet diplomatike me vende të tjera.

Presidenti nuk pranoi të komentonte nëse mund t’i japë amnisti Snowdenit. Ish-kontraktori jeton tani në Rusi ku ka marrë azil të përkohëshëm dhe ballafaqohet me akuza për spiunazh, por një zyrtar i lartë i Agjencisë për Sigurinë Kombëtare tha kohët e fundit se Shtetet e Bashkuara mund ta marrin në konsideratë idenë e amnistisë, me kusht që ai të kthejë të gjitha dokumentet sekrete ende të pabëra publike.

Disa ligjvënës amerikanë kanë kërkuar vendosjen e sanksioneve të reja kundër Iranit, për ta detyruar të kufizojë programin bërthamor. Zoti Obama tha nëse komuniteti ndërkombëtar është seriozisht i përkushtuar ndaj negociatave, duhet të krijohet mjedisi që lejon përparim përmes kësaj mënyre.

Presidenti tha se zgjidhja e përkohëshme që u arrit në Gjenevë ka çuar në disa kufizime të kapaciteteve bërthamore të Iranit, për herë të parë në afro një dekadë.

Zoti Obama tha se ka rëndësi të provohet nëse mund të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme, “jo sepse është e garantuar, por sepse në mungesë të saj duhet të angazhohemi në ndonjë formë konflikti për të zgjidhur problemin dhe pasojat do të jenë të shumta”.

Zoti Obama u doli gjithashtu në mbrojtje reformave në kujdesin shëndetësor. “Struktura bazë e ligjit po funksionon,” tha Presidenti, megjithëse pohoi se procesi ka pasur shumë probleme.

Duke pasur parasysh skandalet me nxjerrjen e sekreteve kombëtare dhe problemet në zbatimin e ligjit për kujdesin shëndetësor, analistët thonë se 2013-a ka qenë viti më i keq në pesë vjetët e Presidencës Obama. Opinioni publik e shikon në shumicën e rasteve negativisht punën që po bën Presidenti. Sipas një ankete të rrjetit mediatik CNN, 56 për qind e të anketuarve kanë opinion negativ dhe 46 për qind shprehen pozitivisht.

Presidenti tha se viti 2014 duhet të jetë një vit veprash, për të fuqizuar tregun e punës dhe për të ndrequr sistemin e imigracionit. Ai vuri në dukje përparimet e fundit në ekonominë amerikane, por shtoi se duhet bërë më shumë për të ulur papunësinë dhe për të zgjatur asistencën për amerikanët që ende nuk kanë gjetur punë.

Megjithë ballafaqimet politike që kanë shoqëruar administratën Obama, Presidenti tha se marrëveshja e fundit me Kongresin lidhur me buxhetin për dy vjetët e ardhshëm tregon se Uashingtoni nuk është i bllokuar në një qorrsokak të pafund.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG