Lidhje

Obama: Po analizojmë përgjigjen ndaj Sirisë


Presidenti Barack Obama thotë se mundësia që Siria ka përdorur armë kimike kundër popullit të vet ka përshpejtuar procesin e kristalizimit të një përgjigjeje amerikane. Presidenti përballet me një numër të kufizuar opsionesh:

Në një intervistë të enjten për rrjetin CNN, presidenti u shpreh se nëse regjimi sirian ka përdorur armë kimike, kjo do të përbënte një incident tepër shqetësues:

"Ne ende po mbledhim informata për këtë incident specifik, që është tepër shqetësues”.

Zoti Obama tha se situata kërkon vëmendjen e Shteteve të Bashkuara dhe komunitetit ndërkombëtar. Por ai shtoi se Amerika duhet ta mendojë thellësisht këtë përgjigje, duke paralajmëruar se ngutja drejt vendimeve të shpejtuara nuk jep përfundime pozitive:

"Duhet ta analizojmë situatën në mënyrë strategjike për të marrë vendime që u shërbejnë interesave tona afat-gjata”.

Zoti Obama tha se do të kërkonte mbështetje ndërkombëtare para se të merreshin masa të rëndësishme. Presidenti është bërë objekt kritikash se nuk është treguar më i vendosur pasi ishte shprehur më parë se përdorimi i armëve kimike do të përbënte kapërcimin e një caku të patolerueshëm. Zoti Obama u zotua kohët e fundit të ndihmojë opozitën siriane, por deri tani nuk janë dërguar ende ndihma.

Leila Hilal, drejtoreshë e Grupit të Punës për Lindjen e Mesme pranë Fondacionit Amerika e Re thotë se mbështetja e opozitës mund të jetë e efektshme në luftën kundër qeverisë. Por ajo shton se ndihmat nuk arrijnë të ndalin përdorimin e armëve kimike.

Zonja Hilal thotë se një tjetër opsion ushtarak do të ishte ndërmarrja e sulmeve me raketa nga jashtë Sirisë. Ajo thotë se edhe ky opsion shoqërohet me rreziqe.

"Sulmet mund të godasin depozita të armëve kimike, fabrika dhe magazine të këtyre materialeve, pyetja është nëse këto masa do të shkaktonin dëme të tjera për sa u përket viktimave civile”.

Zonja Hilal thotë se ndër opsionet më të mira të mundshme është ringjallja e mundësisë për një zgjidhje politike. Ajo beson se përkrahësit e regjimit sirian, si për shembull Irani, mund të ndikojnë pozitivisht për të bindur qeverinë të ulet në negociata.

"Regjimi i Asadit duket se e konsideron në avantazh të tij vazhdimin e konfliktit dhe për momentin nuk do t’ia dijë për avantazhet e procesit politik. Por kjo nuk nënkupton se njerëzit që e përkrahin Asadin nuk e mbështesin idenë e procesit politik”.

Rusia, e cila mbështet qeverinë e Asadit, bashkoi zërin me anëtarët e tjerë në Kombet e Bashkuara, duke bërë thirrje për qasje të pakufizuar për ekipin e OKB-së që ndodhet aktualisht në Siri.

Qeveria siriane ka hedhur poshtë akuzat se ka përdorur armë kimike.
XS
SM
MD
LG