Lidhje

Reformat në programet amerikane të përgjimit


Presidenti Barack Obama ka njoftuar një reformim të programeve amerikane të përgjimit të zbatuara nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare, përfshirë ndryshime në një program që mbledh tabulate telefonike të amerikanëve dhe të të huajve. Presidenti njoftoi edhe masa për të qetësuar udhëheqësit e huaj për taktikat amerikane të përgjimit.

Fjalimi i Presidentit pason një proces disa mujor analize nga një komision special lidhur me publikimin e hollësive mbi programet e përgjimit nga ish-kontraktori i agjencisë NSA, Edward Snowden.

Zoti Obama rishikoi 46 rekomandimet, duke mbuluar tema që nga procesi për mbledhjen e të ashtu-quajturave ‘metadata” nga komunikime në mbarë botën, e deri tek përgjimi i drejtpërdrejtë i udhëheqësve të huaj, gjë që ka sjellë acarime mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve kryesorë të Amerikës.

Presidenti tha se aftësia e agjencive të zbulimit për të mbrojtur amerikanët dhe aleatët nga terrorizmi nuk duhet prekur. Por ai tha se duhet gjetur një baraspeshë për t’iu përgjigjur shqetësimeve për ndërhyrje në jetën private të individëve.

Zoti Obama tha se nuk do të ndalej tek veprimet e Snowdenit, apo motivet e tij për nxjerrjen e informatave sekrete. Ai tha se tani duhet rifituar besimi i njerëzve në botë e brenda vendit.

"Detyra që kemi përpara është më e madhe se thjesht riparimi i dëmit që u është shkaktuar operacioneve tona, apo parandalimi i nxjerrjes së sekreteve në të ardhmen. Duhet të marrim vendime të rëndësishme për të mbrojtur veten dhe për të ruajtur rolin udhëheqës në botë, ndërkohë që mbrojmë liritë civile dhe privacinë, siç e kërkon Kushtetuta dhe idealet tona”.

Zoti Obama tha se nuk ka pasur shkelje të vullnetshme përmes programeve të përgjimit dhe nuk ka pasur spiunim mbi amerikanët e zakonshëm përmes mbledhjes të tabulateve.

Ai tha se aftësia e NSA-së për të mbledhur informata nuk duhet prekur, por shtoi se duhen vendosur masa mbrojtëse për të mos lejuar ndërhyrje të palejueshme.

Presidenti tha se një masë tranzitore nuk do të lejonte qeverinë të mblidhte të dhëna mbi komunikimet telefonike, pa marrë më parë miratim nga Gjykata për Mbikqyrje dhe Zbulim.

"Për të gjitha këto arsye besoj se na nevojitet një metodologji e re. Prandaj po jap urdhër për një periudhë tranzitore që do ta mbyllë procesin e mbledhjes së tabulateve në formën aktuale dhe do të krijojë një mekanizëm që ruan aftëritë që na nevojiten, pa mbledhur tabulate në masë”.

Presidenti ka urdhëruar Prokurorin e Përgjithshëm dhe agjencinë NSA të paraqesin brenda 60 ditësh një raport me metoda alternative për mbajtjen e të dhënave telefonike, para se Kongresi të autorizojë ligjin që mbulon grumbullimin e të dhënave.

Në bazë të urdhërit që hyn në fuqi menjëherë, Agjencia për Sigurinë Kombëtare do të duhet të marrë leje para nga gjykata, para se të ketë qasje në tabulatet telefonike të qindra miliona amerikanëve, përveçse në situata emergjente.

Presidenti tha se bota beson se Shtetet e Bashkuara mbrojnë liritë e individit. Ai shtoi se mbledhja e të dhënave nga shërbimet e zbulimit ka për synim të mbrojë forcat amerikane dhe aleatët e Amerikës, të luftojë përhapjen e armëve dhe krimin ndërkombëtar.

Zoti Obama tha se puna e shërbimeve të zbulimit nuk shërben për të shtypur opinionet kritike, për t’u ofruar avantash në konkurrencë kompanive amerikane, apo për të diskriminuar njerëz bazuar tek raca, gjinia apo orientimi seksual.

Megjithëse reformat e njoftuara dje bazohen në analizën e komisionit special dhe konsultimeve intensive të zotit Obama, Presidenti pret të lexojë edhe një raport të një komisioni special mbi liritë civile.

Ekspertët thonë se ndryshimet do të përcillen me kritika nga komuniteti i zbulimit, i cili i ka kërkuar Presidentit të ruajë programet ekzistuese në formën ekzistuese.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG