Lidhje

Obama: Shtetet e Bashkuara më vitale dhe më të forta 10 vjet pas sulmeve terroriste

  • Dan Robinson

Obama: Shtetet e Bashkuara më vitale dhe më të forta 10 vjet pas sulmeve terroriste

Obama: Shtetet e Bashkuara më vitale dhe më të forta 10 vjet pas sulmeve terroriste

Presidenti Barak Obama tha dje se Shtetet e Bashkuara janë forcuar pas ditës së errët të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Dan Robinson na informon se presidenti mbajti një fjalim në Uashington pasi mori pjesë në ceremonitë përkujtimore në Nju Jork, Pensilvani dhe në Pentagon për të nderuar rreth tre mijë njerëzit që humbën jetën.

Presidenti e mbajti fjalimin në fund të një dite udhëtimesh, gjatë të cilës ai dhe e shoqja Mishellë vizituan tri vendet e sulmeve, memorialin e Qendrës Botërore të Tregtisë, një fushë në Shanksvill të Pensilvanisë dhe Pentagonin në Uashington.

Dita e kujtimit dhe nderimit të viktimave u mbyll me “Koncertin e Shpresës” në Qendrën Kenedi në Uashington, organizuar nga Katedralja Kombëtare me pjesë muzikore dhe një fjalim nga Presidenti Obama.

Pas sulmeve, tha presidenti, amerikanë u zgjuan “në një botë në të cilën djallëzia ishte më afër nga sa mendohej dhe pasiguria kishte mjegulluar të ardhmen tonë”. Ai foli për sfidat që vendi ka përballuar që prej atëhere.

“Në dekadën që prej atëhere, shumë gjëra kanë ndryshuar për amerikanët. Ne kemi parë luftë dhe recesion, debate pasionante dhe ndarje politke. Ne nuk mund të kthejmë jetët që humbën atë ditë apo amerikanët që bënë sakrifica sublime në luftërat që pasuan”.

Zoti Obama tha se elemente të rëndësishëm nuk kanë ndryshuar. “Karakteri i Amerikës, refuzimi i Amerikës për t’iu nënshtruar frikës dhe mbrojtja e palëkundur e lirive dhe mënyrës tonë të jetesës”.

“Ne i mbrojnë me vendosmëri liritë tona. Po, ne jemi më vigjilentë kundër atyre që na kërcënojnë dhe për mbrojtjen tonë ne sakrifikojmë rehatinë. Debatet për luftën dhe paqen, për sigurinë dhe liritë civile, kanë qënë shpesh të ashpra gajtë këtyre 10 vjetëve. Por është pikërisht forca e këtyre debateve dhe aftësia jonë për të vendosur në një mënyrë që është në nderin e vlerave tona dhe demokracia është vlerësimi i forcës tonë”.

Presidenti vlerësoi dy milionë amerikanët që kanë shkuar në luftë që nga viti 2001, duke thënë se ata “kanë demonstruar se kushdo që na prek nuk mund t’i shpëtojë drejtësisë kudo që të jetë në botë”. Zoti Obama vlerësoi gjithashtu edhe kontributin e punonjësve të zbulimit dhe diplomatëve amerikanë.

Zoti Obama e cilësoi secilin nga vendet shembull të vitalitetit. Por ai tha se trashëgimia e 11 shtatorit 2001 është më tepër se sa monomentet e ngritura.

“Më tepër se monumentet do të jetë trashëgimia e 11 shtatorit, një trashëgimi e zjarrfiksave që ecën përmes zjarrit dhe e ushtarëve që u regjistruan për të shërbyer, trashëgimia e punëtorëve që ngritën kulla të reja dhe e qytetarëve që përballuan frikën, e shumicës së fëmijëve që realizuan endërrat e prindërve të tyre. Për ne do të thuhet se ruajtëm besimin dhe pas një goditjeje të dhimbshme dolëm më të fortë se më parë”.

Presidenti Obama u informua mbrëmë nga zyrtarët e kundërzbulimit rreth masave të sigurisë që ishin marrë, pas paralajmërimeve të javës së kaluar për një kërcënim të besueshëm, por të pakonfirmuar terrosit kundër Shteteve të Bashkuara. Zv/sekretari i shtypit të Shtëpisë së Bardhë Xhosh Ernest u tha gazetarëve se ata diskutuan “natyrën e kërcënimit që është ende në fuqi”, por tha se nuk pati informacion më specifik për Presidentin Obama

XS
SM
MD
LG