Lidhje

Obama: Diplomacia është zgjidhja e preferuar për Sirinë


Presidenti amerikan Barack Obama tha se ai më shumë preferon diplomacinë se sa një sulm ushtarak për të siguruar mospërdorimin e armëve kimike nga qeveria siriane.

Presidenti amerikan Barack Obama tha se një zgjidhje e negociuar diplomatike mbi Sirinë është ende e mundur nëse ajo rezulton në krijimin e një mekanizmi për vënien në kontroll të armëve kimike në Siri. Presidenti Obama dje (të hënën) dha intervista në gjashtë kanalet televizive amerikane më të mëdha, për të shpjeguar qëndrimin e tij për ndëshkimin e regjimit të presidentit sirian Bashar al-Asad. Presidenti Obama tha se ai kishte zhvilluar një bisedë të pa palnifikuar me presidentin Vladimir Putin javën e kaluar në takimin e G-20-tës në Shën Petersburg të Rusisë, në lidhje me idenë e sigurimit të armëve kimike të Sirisë. Udhëheqësi amerikan tha se ai do të preferonte një zgjidhje diplomatike të kësaj çështjeje. Sot presidenti Obama pritet të mbaj një fjalim para vendit për të shpjeguar qëndrimin e tij mbi situatën në Siri.

Mbrëmë vonë, në një intervistë për programin NewsHour të kanalit televiziv PBS, presidenti Barack Obama tha se propozimi rus për vënien nën kontroll ndërkombëtar të armëve kimike të Sirisë për të shmangur një sulm ushtarak amerikan, mund të jetë një mundësi për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Presidenti Obama tha se ai e ka udhëzuar Sekretarin e Shtetit John Kerry për të biseduar me rusët në lidhje me hollësitë e propozimit.

“Kam udhëzuar (Sekretarin e Shtetit) John Kerry-in të bisedojë drejtpërdrejt me rusët dhe të marrë hollësitë e këtij propozimi për të parë nëse mund të shfrytëzojmë të gjitha përpjekjet diplomatike për të arritur një zgjidhje e cila i jep komunitetit ndërkombëtar një mekanizëm të verifikueshëm për vënien nën kontroll të armëve kimike në Siri. Unë e mbështesë këtë, por duhet të shohim veprime hollësishme të këtij propozimi”.

Udhëheqësi amerikan tha se ai do të preferonte një zgjidhje diplomatike për çështjen e Sirisë.

Anketat tregojnë se ekziston një ndjenjë e fortë në publikun amerikan kundër një sulmi ushtarak ndaj Sirisë.

Në prag të fjalimit të sotëm të presidentit, administrata e tij vazhdoi përpjekjet e saj intensive në media për të bindur publikun për nevojën e një sulmi ushtarak kundër qeverisë siriane.

Këshilltarja e presidentit për Sigurinë Kombëtare, Susan Rice përmendi rezultatet negative nëse nuk do të ketë një përgjigje ndaj sulmit të 21 gushtit me armë kimike në Damask, përfshirë dëmtimin e sigurisë së Shteteve të Bashkuar dhe asaj globale, trimërimin e Iranit dhe Koresë së Veriut, si dhe dëmtimin e besueshmërisë së Shteteve të Bashkuara në botë.

"Nëse ne fillojmë të dëmtojmë zemërimin moral të shkaktuar nga vrasja e fëmijëve me armë kimike në shtretërit e tyre, ne i hapim vetes pasoja më të frikshme se kjo. Nëse nuk i përgjigjemi këtij sulmi të pamëshirshëm, kjo mund të shihet si një shenjë se Shtetet e Bashkuara nuk janë të gatshme të përdorin të gjitha mjetet e nevojshme për të ruajtur sigurinë kombëtare."

Në komentet që bëri në Shtëpinë e Bardhë pas një takimi me presidentin Obama, ish- Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton tha se debati mbi përdorimin e forcës është i mirë për demokracinë .

Ajo gjithashtu përmendi propozimin rus, i cili u mirëprit nga Ministri i Jashtëm i Sirisë, për vënien e armëve kimike të Sirisë nën kontrollin ndërkombëtar.

"Siç është sugjeruar nga Sekretari Kerry dhe rusët, ky do të ishte një hap i rëndësishëm. Por ky nuk mund të jetë një tjetër justifikim për të vonuar ose penguar përgjigjen, dhe Rusia me sinqeritet duhet të mbështesë përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar ose do të jap llogari për veprimet e saj."

Ish-sekretarja Klinton dhe Shtëpia e Bardhë e kanë bërë të qartë se propozimi rus u bë i mundur për shkak të kërcënimeve të besueshme të Shteteve të Bashkuara për veprime ushtarake kundër Sirisë.
XS
SM
MD
LG