Lidhje

Pres. Obama për ndërhyrjen në Siri

  • Dan Robinson

Presidenti Obama ka vendosur se nevojitet një sulm ushtarak kundër Sirisë në përgjigje të përdorimit të armëve kimike, por ai ka thënë se do të kërkojë autorizim nga Kongresi për të forcuar mbështetjen kombëtare për çdo veprim që merret.

Zoti Obama tha se sulmi kimik në Siri kërcënon të vërë në lojë vendimin e komunitetit ndërkombëtar për të mos lejuar përdorimin e armëve kimike, duke kërcënuar aleatët dhe partnerët, dhe mund të çojë në shkallëzimin e përhapjes së këtyre armëve. Ky rrezik, tha ai, kërkon përgjigje:

"Pas një analize të kujdesshme, kam vendosur se Shtetet e Bashkuara duhet të marrin masa ushtarake kundër objektivave të regjimit sirian. Ky nuk do të jetë një operacion pa afat. Ne nuk do të dërgojmë forca në terren. Veprimet tona do të planifikohen në një mënyrë të kufizuar si nga objektivi ashtu edhe kohëzgjatja. Por kam besimin se ne mund ta mbajmë përgjegjës regjimin e Asadit për përdorimin e armëve kimike, ta pengojmë këtë veprim në të ardhmen dhe të ulim aftësitë e tyre për akte të tilla”.

Presidenti tha se ushtria amerikane është e përgatitur për sulm dhe ai është i përgatitur për të dhënë urdhërin përfundimtar. Megjithatë Presidenti u shpreh se i ka dëgjuar thirrjet që ai të kërkojë autorizim:

"Prej kohësh kam besuar se fuqia jonë nuk qëndron thjesht në aftësinë e ushtrisë sonë, por në shembullim që ofrojmë ne si qeveri e popullit, e dalë nga populli dhe për popullin. Prandaj kam marrë vendimin të kërkoj autorizim për përdorimin e forcës nga përfaqësuesit e popullit amerikan në Kongres”.

Zoti Obama tha se udhëheqësit në Kongres kanë rënë dakord të caktojnë një datë për të hedhur në votë autorizimin sapo të kthehen nga pushimet. Qeveria siriane ka hedhur poshtë akuzat për përfshirjen në sulme me armë kimike dhe thotë se do ta mbrojë vendin kundër çdo mase ushtarake.

Zyrtarë të lartë të administratës thanë se autorizimi i sulmit po hartohet dhe se zoti Obama beson se Kongresi do ta miratojë.

Një dokument i shërbimeve amerikane të zbulimit fajëson direkt regjimin e Asadit për planifikimin dhe kryerjen e sulmit kimik të 21 gushtit dhe thotë se të paktën 1,429 sirianë, përfshirë 426 fëmijë.

Zoti Obama e cilësoi dje sulmin kimik një goditje mbi dinjitetin njerëzor dhe tha se ky akt rrezikon të vërë në lojë politikën ndërkombëtare të ndalimit të armëve kimike.


Trego komentet

XS
SM
MD
LG