Lidhje

Pres. Obama argumenton ndërhyrjen në Siri


Presidenti Barack Obama tha sot në fjalimin e tij të përjavshëm se Shtetet e Bashkuara kanë paraqitur argumenta të fuqishme para botës se qeveria siriane ishte përgjegjëse për sulmin e tmerrshëm ndaj popullit të vet. Ndërkohë Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry po takohet me ministrat e jashtëm evropianë në përpjekje për të siguruar mbështetje për ndërhyrje ushtarake në Siri.

Presidenti Obama tha se sulmi kimik, për të cilin akuzohet qeveria siriane, nuk është vetëm sulm ndaj dinjitetit njerëzor.

“Është një kërcënim serioz ndaj sigurisë sonë kombëtare”.

Prandaj tha zoti Obama sot, ai i ka kërkuar Kongresit që të votojë për autorizimin e përdorimit të forcës në Siri.

“Nuk po flasim këtu për një ndërhyrje pa afat. Nuk bëhet fjalë për një Irak apo Afganistan tjetër. Nuk do të ketë forca tokësore amerikane. Çdo veprim që do të ndërmerrnim, do të ishte i kufizuar, me synimin për të mos lejuar forcat qeveritare siriane që të helmojnë me gaz popullin e tyre dhe për të paralizuar aftësinë e tyre për ta bërë një gjë të tillë”.

Presidenti Obama e pranoi faktin që populli amerikan është i lodhur nga një dekadë lufte, një referencë ndaj qëndrimit të publikut amerikan, shumica e të cilit sipas anketave është kundër ndërhyrjes në Siri. Por ai shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund t’i mbyllin sytë para imazheve si ato që siç tha ai “kemi parë në Siri” dhe se mungesa e reagimit do ta rriste rrezikun e përdorimit të këtyre armëve përsëri.

Ndërkohë Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry mbajti sot takime informale me diplomatët e lartë evropianë në Vilnius të Lituanisë, vend i cili mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian. Ai përshëndeti një deklaratë të BE-së, ku organizata shprehej se dukej të kishte tregues të fortë që qeveria siriane kreu sulmin kimik ndaj civilëve në gusht.

“Jemi shumë mirënjohës për deklaratën që doli nga takimi i sotëm në lidhje me Sirinë, një deklaratë e fortë për nevojën për përgjegjësi dhe jam veçanërisht mirënjohës për komentet e presidentit sot në mëngjes dhe mbështetjen e ministrave të jashtëm për përpjekjet për ta vënë para përgjegjësisë regjimin e Assadit për atë që ka bëtë”.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton tha sot se 28 vendet e BE-së ranë dakord se informacioni në dispozicion duket të tregojë se regjimi sirian e kreu sulmin. Por ata nuk shprehën mbështetje për ndërhyrjen ushatarake të propozuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca.

Bisedimet në Vilnius mbahen pas takimit të nivelit të lartë të 20-es në Shën Peterburg të Rusisë ku Presidenti Obama mbajti disa takime dypalëshe me udhëheqësit e ekonomive më të mëdha botërore. Ai siguroi mbështetjen e Francës, Turqisë dhe disa udhëheqësve të tjerë, por Presidenti rus Vladimir Putin vazhdoi të shprehte qëndrimin kundër çdo sulmi ndaj qeverisë së Assadit.

Ndërkohë Shtetet e Bashkuara kanë nxjerrë paralajmërime për qytetarët amerikanë që të mos udhëtojnë në Liban dhe Turqi për shkak të shqetësimeve për dhunë të mundshme në këto vende, ndërsa shqyrtohet mundësia e ndërhyrjes ushtarake në Sirinë fqinje.
XS
SM
MD
LG