Lidhje

Pikëpyetjet dhe dilemat për Sirinë

  • Dan Robinson

Ligjvënësit amerikanë të informuar nga zyrtarë të lartë të administratës Obama dje, thanë se nuk ka dyshime se qeveria siriane ndërmori sulm me armë kimike javën e kaluar. Anëtarë të Kongresit i kërkuan Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit të paraqisnin argumentat për një sulm të mundshëm ushtarak kundër Sirisë. Ligjvënësi demokrat Eliot Engel tha se zyrtarët amerikanë kishin folur për interceptimin e bisedave me zyrtarëve të lartë sirianë.

Ndërkohë që administrata Obama përgatitej për seancën e informimit për anëtarët e Kongresit, ajo është ndeshur me pyetje të forta nga media lidhur me të dhënat e grumbulluara deri tani për sulmin.

Amerikanët ende kanë kujtime të freskëta të konflikteve që Amerika ka filluar gjatë viteve të fundit, si lufta në Irak e ndërmarrë gjatë administratës së Presidentit George W. Bush, e cila vuri në pikëpyetje saktësinë e informatave të shërbimeve të zbulimit.

Ndërkohë që shfaqet mundësia e operacioneve ushtarake në Siri, Shtëpia e Bardhë po bombardohet me pyetje lidhur me të dhënat dhe provat që kanë Shtetet e Bashkuara mbi sulmin e 21 gushtit në Damask.

Uashingtoni dhe aleatë të rëndësishëm fajësojnë për sulmin regjimin e Presidentit Bashar al-Assad. Qeveria siriane i hedh poshtë akuzat.

Dje, Kryeministri britanik David Cameron tha se “ka baza të qarta ligjore” që përligjin ndërmarrjen e operacioneve ushtarake, por shtoi se nuk ka një provë të vetme të qartë që vërteton se regjimi i Asadit ka përdorur armët kimike.

Zëvendës zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest tha në komentet për shtyp se Shtetet e Bashkuara do të bazohen tek të dhënat e shërbimeve amerikane të zbulimit për të arritur në vendimin që do të marrë Presidenti Obama.

Ai foli për kredibilitetin e këtyre të dhënave, kur iu drejtua pyetja nëse Presidenti Obama beson se Siria përfaqëson një kërcënim aktual për Shtetet e Bashkuara:

"Nuk do t’i intepretoj fjalët e Presidentit më në hollësi se kaq. Mendoj se Presidenti e ka bërë të qartë dhe unë vetë jam përpjekur që ta përshkruaj sa më mirë çfarë interesash kombëtare kërcënohen në këtë rast”.

Presidenti Obama foli për disa prej këtyre interesave në një intervistë të mërkurën për rrjetin PBS:

"Ne kemi vende aleate që kanë kufij të përbashkët me Sirinë: Turqia është aleate e NATO-s, Jordania është një vend mik me të cilin bashkëpunojmë ngusht, Izraeli është mjaft pranë Sirisë; gjithashtu ne kemi baza në të gjithë rajonin. Nuk mund të lejojmë të thyhet parimi i mospërhapjes së armëve, pasi mund të rrezikojë që armë kimike të bien në duart e njerëzve të dyshimtë”.

Zyrtarë të lartë të administratës Obama, përfshirë Sekretarin e Shtetit John Kerry, Sekretarin e Mbrojtjes Chuck Hagel dhe Këshilltaren e Sigurimit Kombëtar Susan Rice, informuan dje anëtarë të Kongresit mbi situatën.

Të paktën 116 ligjvënës, pjesa më e madhe republikanë, kanë nënshkruar një letër ku i bëjnë thirrje Presidentit të kërkojë autorizim të qartë nga Kongresi para se të japë urdhër për ndonjë operacion ushtarak.

Presidenti Obama diskutoi mbrëmë me telefon me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, republikanin John Boehner. Zoti Boehner, sipas një zëdhënësi, kërkoi nga presidenti shpjegime për arsyetimin ligjor për një operacion ushtarak, si dhe politikat, objektivat dhe strategjinë që do të pasonte një veprim të tillë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG