Lidhje

Administrata intensifikon fushatën informative


Administrata Obama vazhdon fushatën për të bindur publikun për nevojën që të ndërmerren sulme ushtarake për të ndëshkuar regjimin sirian për përdorimin e armëve kimike. Zyrtarë të administratës shfrytëzuan transmetimet e medias dy ditë para se Presidenti Obama të flasë para kombit për të nxitur Kongresin që të mbështesë planin për veprim ushtarak.

Shefi i Stafit të Shtëpisë së Bardhë Denis McDonough përsëriti të njëjtin mesazh në një numër emisionesh televizive, përfshirë emisionin Fox News Sunday.

"Asadi përdori armë kimike kundër popullit të vet. Pyetja që i shtrohet Kongresit tani është: a do të ketë pasoja për një diktator që përdor armë të tilla për të vrarë me gaz helmues qindra fëmijë?”

Presidenti Obama paraqiti argumentat e tij për sulm ushtarak në fjalimin e përjavshëm të shtunën dhe do ta bëjë të njëjtën gjë në tranmetime televizive sot. Përpjekjet më të mëdha të administratës do të vazhdojnë me një fjalim drejtuar vendit të martën.

Në programin e rrjetit CBS Face the Nation, ligjvënësi republikan Mike Rogers u shpreh lidhur me përpjekjet e deritanishme të Shtëpisë së Bardhë:

"Ka bërë një punë shumë të keqe për t’u shpjeguar amerikanëve si ndikohen interesat kombëtare në çdo nivel të angazhimit në një vend si Siria. Deri tani është krijuar një situatë shumë konfuze”.

Anketat tregojnë se pjesa më e madhe e amerikanëve janë kundër operacioneve ushtarake kundër Sirisë dhe vetëm një përqindje e vogël ligjvënësish në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët janë shprehur se mbështesin planin e Presidentit. Për momentin, nuk është e qartë nëse një resolutë që autorizon përdorimin e forcës do të miratohet në Dhomat e Kongresit apo se çfarë pasojash do të ketë një përgjigje negative.

Përveç ngurimit të ligjvënësve është edhe shqetësimi për përbërjen dhe lidhjet e disa elementëve brenda opozitës siriane, që mendohet se do të përfitonte nga goditja amerikane. Senatori republikan Rand Paul tha në emisionin Fox News Sunday se shqetësohet për lidhjet e kryengritësve me ekstremistët myslimanë:

"Nëse ndërhyjmë duke mbajtur anën e kruengritësve, do të jemi në anën e al-Kaidës”.

Senatori republikan Ted Cruz shprehu rezerva të ngjashme në emisionin This Week të rrjetit ABC.

"Thjest për faktin se Presidenti sirian Assad është një tiran vrasës, kjo s’do të thotë se kundërshtarët e tij janë më të mirë”.

Shefi i Personelit të Shtëpisë së Bardhë McDonough u shpreh se ishte revoltuar nga aludimet se forcat amerikan do të ktheheshin në aleatë të terroristëve. Ai shtoi se Presidenti Obama është i shqetësuar për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, jo për pasojat politike që do të ketë një votë negative e Kongresit lidhur me përdorimin e forcës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG