Lidhje

Obama: Ende s'kemi vendim për Sirinë

  • Dan Robinson

Presidenti Barak Obama thotë se ende nuk ka marrë vendim për reagimin amerikan ndaj përdorimit të armëve kimike në Siri, por thotë se Shtetet e Bashkuara kanë arritur në përfundimin se qeveria siriane ishte autorja e sulmeve.

Në një intervistë zhvilluar mbrëmë me Shërbimin e Transmetimeve Publike, PBS, zoti Obama tha se po vazhdon diskutime intensive me ekipin e sigurisë kombëtare dhe komandantët ushtarakë i kanë paraqitur një numër opsionesh.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë arritur në përfundimin se qeveria e Presidentit Bashar al-Assad ka kryer sulmet e 21 gushtit në një lagje periferike të Damaskut, duke vrarë qindra vetë.

Presidenti tha se shkelja e normave ndërkombëtare kundër përdorimit të armëve kimike në një rajon të trazuar kërkon një përgjigje:

“Kemi arritur në përfundimin se qeveria siriane ka kryer sulmet dhe me këtë veprim bëhen të domosdoshme pasoja ndërkombëtare. Për këtë arsye po konsultohemi me aleatët. Nuk kemi ndërmend të fillojmë një konflikt të hapur në Siri, por duhet të garantojmë se kur një vend shkel normat ndërkombëtare për shembull me armë kimike, që përbëjnë kërcënim për ne, ata duhen mbajtur përgjegjës”.

Zotit Obama iu drejtua pyetja se çfarë do të përmbushte një goditje ushtarake, sado e kufizuar. Ai tha se megjithëse një sulm i tillë nuk do të zgjidhte problemet në Siri, ai do t’i dërgonte një mesazh të fortë regjimit në Damask:

"Mendoj se është e rëndësishme që nëse vendosim të ndërmarrim masa ndëshkuese për përdorimin e armëve kimike, atëherë regjimi i Asadit që është përfshirë në luftë civile, do të marrë një goditje të fortë që të mos e provojë më këtë”.

Zoti Obama ritheksoi gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar me këdo, përfshirë aleaten kryesore të Sirisë, Rusinë, drejt një tranzicioni politik dhe të sjellë palët së bashku për të zgjidhur konfliktin.

Presidenti tha se Siria duhet të kuptojë se nuk mund të thyejë normat ndërkombëtare dhe standardet civile dhe të krijojë një situatë në të cilën ndikohen interesat kombëtare të Amerikës.

Zoti Obama foli për ndikimin rajonal të konfliktit sirian, kërcënimet potenciale ndaj aleatëve dhe partnerëve amerikanë si Turqia, Izraeli dhe Jordania, si dhe bazat amerikane në rajon.

Shtetet e Bashkuara tha ai, nuk mund të lejojë thyrjen e normave të mospërhapjes së armëve që mund të lejonin rënien e këtyre armëve në duart e gabuara.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG