Lidhje

Obama kërkon reforma në sistemin e korrektimit


Presidenti Barak Obama është i pari president amerikan që gjatë mandatit viziton një burg federal, në përpjekje për të realizuar reforma për një sistem korrektimi më të drejtë.

Zoti Obama viziton të enjten burgun El Reno në shtetin e Oklahomës ku do të takohet me zyrtarë të rendit dhe me të burgosur për krime jo të dhunshme.

Në një fjalim këtë javë, zoti Obama bëri thirrje për uljen ose eliminimin e dënimeve me gjatësi të detyrueshme minimale për krime pa dhunë që lidhen me trafikun e drogës. Presidenti bëri thirrje gjithashtu për një analizë të vëmendshme mbi ndikimin që ka mbajtja në izolim dhe për kualifikime profesionale për të burgosurit.

Presidenti ka urdhëruar një rishikim në nivel federal të praktikës së mbajtjes në izolim dhe i ka bërë thirrje Kongresit të miratojë brenda këtij viti një projekt-ligj për reformimin e ligjeve të ndëshkimit.

Shtetet e Bashkuara kanë aktualisht 2.3 milionë vetë në burgje, ose afërsisht një në çdo 100 të rritur. Afrikano-amerikanët burgosen me ritme gjashtë herë më të larta se të bardhët. Aktualisht afro 1 milionë nga 2.3 milionë të burgosur janë afrikano-amerikanë. Statistikisht, një në tre afrikano-amerikanë ka gjasa të përfundojë në burg gjatë jetës së tij; një në gjashtë latino-amerikanë dhe një në 17 të bardhë.

Afrikano-amerikanët përfaqësojnë 12% të përdoruesve të drogës në Shtetet e Bashkuara, por përbëjnë 38% të të arrestuarve për shkelje të ligjeve kundër drogës dhe 59% të të burgosurve që mbahen në burgje shtetërore për shkelje të këtyre ligjeve.

Një ndër nëntë të burgosur vuajnë aktualisht dënim të përjetshëm. Në vitin 2012 afro 160 mijë vetë po vuanin dënim të përjetshëm, afro 50 mijë prej tyre pa të drejtën e lirimit me kusht.

Kostoja vjetore për mbajtjen e një të burgosuri në një burg federal është afro 29 mijë dollarë. Në burgjet shtetërore çmimi shkon në rreth 31 mijë dollarë për person.

Në 48 shtete amerikane një person që është shpallur më parë fajtor për krim mund të humbasë të drejtën e votës. Afro gjashtë milionë amerikanë e kanë humbur këtë të drejtë.

Numri i të rinjve në burgje ka rënë gradualisht nga 78 mijë në vitin 1999 në pak mbi 35 mijë në 2013. Të rinjtë e përkatësisë afrikano-amerikane, latine dhe indianët e Amerikës kanë ritme më të larta burgosjeje dhe statistikisht vuajnë dënime më të rënda se të rinjtë e bardhë.

Shtetet jugore të Misisipit dhe Luizianës kanë ritmet më të larta të burgosjes. Shtetet Maine dhe Minesota kanë ritmet më të ulëta të burgosjes.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG