Lidhje

Skandalet kërcënojnë axhendën e Presidentit Obama


Vënia në shënjestër e grupeve konservatore nga agjencia e taksimit, sulmi i vitit të kaluar në Bengazi dhe marrja fshehtazi e tabulateve telefonike të Associated Press po rëndojnë mbi administratën amerikane

Presidenti Barak Obama e gjen veten në pozita mbrojtëse lidhur me tri çështje që kërcënojnë të dëmtojnë axhendën e mandatit të tij të dytë. Presidenti mund t’u bashkohet kështu parardhësve të tij që kanë ndeshur në probleme të mëdha gjatë mandatit të tyre të dytë në detyrë.

Presidenti Obama njoftoi dorëheqjen e të ngarkuarit me funksionet e shefit të agjencisë së taksimit.

"Sapo mbarova bisedën me sekretarin Lew dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Departamentit të Thesarit...”.

pasi u bë e ditur se agjencia e taksimit kishte vënë në shënjestër grupe konservatore të lëvizjes Tea Party.

"Kjo është e pajustifikueshme dhe amerikanët me të drejtë janë të indinjuar. Unë nuk do ta lejoj një sjellje të tillë në asnjë agjenci, por veçanërisht në agjencinë e taksimit”.

Republikanët, mes tyre edhe udhëheqësi i tyre në Senat, Mitch McConnell, po kërkojnë përgjigje për skandalin.

"Tani është e qartë se ne sapo kemi filluar të mësojmë për skandalin. Populli amerikan kërkon përgjigje dhe unë jam i vendosur t’i dal në fund kësaj çështjeje”.

Skandali i agjencisë së taksimit është një prej çështjeve kundërthënëse me të cilën po ndeshet Shtëpia e Bardhë.

Administrata mbetet në pozita mbrojtëse lidhur me sulmin terrorist në Bengazi të Libisë që u kushtoi jetën katër amerikanëve vitin e kaluar.

Departamenti i Drejtësisë është gjithashtu nën presion për të justifikuar marrjen fshehtazi të tabulateve telefonike të agjencisë Associated Press në lidhje me një hetim që rrodhi në shtyp.

Por është çështja e agjencisë së taksimit që ka vënë në shënjestër amerikanët për shkak të bindjeve të tyre politike që ka ngjallur reagimin më të fortë në gjithë spektrin politik, thotë analisti John Fortier.

"Për mendimin tim kjo është çështja që e shqetëson më shumë amerikanët, sepse kjo nuk është një organizatë shumë popullore, por është një organizatë që njerëzit e dinë se ka mjaft informacion që ndikon ndjeshëm tek ta, prandaj nuk duan që kjo të ndodhë”.

Skandalet janë shqetësuese për presidentin, thotë zoti Fortier, por nuk është e thënë që ta dëmtojnë atë.

"Axhenda e tij e tanishme kërkon marrëveshjen e të dy partive dhe mendoj se skandali mund të jetë në përgjithësi negativ, por nuk do ta dëmtonte atë nëse të dy partitë shikojnë dobi që të bashkëpunojnë për disa nga këto çështje”.

Zoti Obama mund të jetë gati t’u bashkohet parardhësve të tij, të cilët ndeshën në vështirësi gjatë mandatit të tyre të dytë, thotë ishin shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë, Ken Duberstein.

"Çdo presidencë ka probleme gjatë vitit të pestë apo të gjashtë. Dhe në qoftë se nuk ke marrëdhënie të besueshme në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, apo me popullin amerikan, atëhere nuk ke se ku të mbështetesh”.

Richard Nixon-i dha dorëheqjen nga presidenca për shkak të skandalit të Watergate-it. Ronald Reagan-i u gjend të pozitë të vështirë për skandalin Iran Contra në mandatin e tij të dytë dhe Bill Clinton-i, u ndëshkua për marrëdhëniet me Monica Lewinsky-in por qendroi në post.
XS
SM
MD
LG