Lidhje

Obama shpall strategjinë kundër ISIS


Përmes një fjalimi që mbajti të mërkurën në mbrëmje, një ditë para 13 vjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit, Presidenti amerikan Barak Obama përvijoi strategjinë e Shteteve të Bashkuara ndaj organizatës radikale Shteti Islamik, ISIS. Ai bëri të njohur planin për zgjerimin e përpjekjes ushtarake amerikane kundër Shtetit Islamik dhe autorizoi për herë të parë sulme ajrore amerikane ndaj militantëve të ISIS-it në Siri.

“Si komandant i Përgjithshëm, - tha Presidenti Obama ,- përparësia ime më e madhe është siguria e popullit amerikan.”

Presidenti tha se gjatë viteve të fundit, SHBA kanë zhvilluar vazhdimisht luftë kundër terroristëve dhe në këtë luftë janë arritur suksese të rëndësishme, si vrasja e Osama Bin Ladenit dhe e një numri udhëheqësish të Al Kaidës në Afganistan e Pakistan, si dhe e komandantit të Al Kaidës në Somali. Në saje të ushtarakëve të saj, tha ai, Amerika është një vend më i sigurtë.

Por, tha Presidenti, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të përballen me kërcënimin terrorist:

“Ne nuk mundet të zhdukim të keqen nga bota, - tha ai, - siç pamë më 11 shator të vitit 2011 dhe që e shohim edhe sot. Kjo është arsyeja përse ne mbetemi vigjilentë.”

“Në këtë moment, - tha zoti Obama, - kërcënimi më i madh vjen nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore, ku grupe radikale si ISIL, apo Shteti Islamik, shfrytëzojnë padrejtësitë për të nxjerrë përfitimet e tyre. Ata janë brutalë, ekzekutojnë të burgosurit, vrasin fëmijë, kërcënojnë pakicat fetare me gjenocid. Me aktet e tyre barbare, ata i morën jetën dy gazetarëve amerikanë, Jim Foley and Steven Sotloff.”

Presidenti Obama tha se organizata Shteti Islamik, me veprimet e saj, ka provuar se nuk është një organizatë fetare, por një organizatë terroriste:

"Le ta bëjmë të qartë: ISIL nuk është “islamike”. Asnjë fe nuk fal vrasjen e njerëzve të pafajshëm dhe shumica e viktimave të ISIL-it kanë qenë myslimanë. ISIL, sigurisht që nuk është shtet. Ajo ka qenë degë e Al-Kaidës në Irak dhe ka shfrytëzuar luftën sektare dhe luftën civile në Siri për të fituar territor në të dyja anët e kufirit mes Irakut dhe Sirisë. ISIL është thjesht një organizatë terroriste, që nuk ka një vizion të vetin, veç masakrimit të cilitdo që i del përpara.”

Presidenti tha se Shtetet e Bashkuara do të udhëheqin një përpjekje të vazhdueshme dhe të pamëshirshme për kapjen e ektremistëve të ISIS-it:

"Kjo fushatë anti-terroriste do të jetë e vazhdueshme dhe e pamëshirshme për kapjen e ektremistëve të ISIL-it, kudo që ata ndodhen, duke përdorur forcën ajrore dhe mbështetjen tonë për forcat e partnerëve tanë në terren,”- tha ai.

Presidenti tha se objektivi është i qartë: dobësimi dhe në fund shkatërrimi i militantëve, përmes një strategjie gjithëpërfshirëse kundër terrorizmit.

Presidenti bëri të njohur një plan me katër pjesë, për vazhdimin e sulmeve ajrore, që tashmë kanë provuar se janë të sukseshme, në zmbrapsjen e militantëve në Irak.

Së pari, tha ai, fushata ajrore sistematike kundër terroristëve do të vazhdojë. Në bashkëpunim me qeverinë irakiane, do të zgjerohen sulmet kundër ISIL-it dhe do të ndiqen terroristët kudo që të ndodhen, qoftë në Siri, apo në Irak.

Së dyti, Presidenti Obama tha se do të shtohet mbështetja për forcat në terren. Në Irak do të çohen edhe 475 këshilltarë të tjerë ushtarakë amerikanë, për trajnimin e forcave irakiane dhe kurde.

Por, Presidenti theksoi nuk do të çohen trupa tokësore amerikane. Ai po ashtu i bëri thirrje Kongresit të miratojë më tepër ndihma për luftëtarët e opozitës në Siri.

Së treti, Presidenti tha se SHBA do të dyfishojnë përpjekjet për bllokimin e fondeve për Shtetin Islamik, do të përmirësojnë zbulimin në rajon dhe do nuk do t’i lejojnë luftëtarët e huaj të udhëtojnë në Lindjen e Mesme.

Së katërti, do të vazhdojë ndihma humanitare për viktimat e Shtetit Islamik, përfshirë civilët e pafajshëm dhe pakicat fetare që ka terrorizuar ky grup.

Presidenti Barack Obama autorizoi për herë të parë sulme ajrore amerikane ndaj militantëve të Shtetit Islamik në Siri. Kjo mund të kërkojë zhvillimin e luftës në Siri, për herë të parë, në se do të jetë e nevojshme.

Presidenti Obama tha se lufta kundër ISIL-it do të jetë një luftë e përbashkët e një koalicioni të gjerë, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara.

“Kjo nuk është vetëm lufta jonë. Fuqia amerikane mund të arrijë rezultate të rëndësishme, por ne nuk mund të bëjmë për irakianët atë që ata duhet të bëjnë për veten e tyre dhe as mund të marrim rolin e partnerëve tanë arabë në sigurimin e rajonit të tyre. Kjo është arsyeja përse unë kam këmbëngulur që një veprim tjetër i SHBA varej nga formimi i një qeverie irakiane gjithëpërfshirëse, që ata e realizuan ditët e fundit. Prandaj sot, kur kemi një qeveri irakiane dhe pas konsultimeve me aleatët e jashtëm dhe ata brenda vendit në Kongres, unë mund të bëj të njohur se Amerika do të udhëheqë një koalicion të gjerë, për ta zmbrapsur këtë kërcënim terrorist. Objektivi ynë është i qartë: ne do ta dobësojmë dhe në fund, do ta shkatërrojmë ISIL-in, përmes një strategjie gjithëpërfshirëse kundër terrorizmit, - tha Presidenti Obama.

Ai tha se strategjia e kapjes së terroristëve që kërcënojnë Shtetet e Bashkuara ka patur sukses për vite të tëra në Jemen dhe në Siri.

Presidenti Obama tha se ai e ka autoritetin për trajtimin e kërcënimit të Shtetit Islamik, por shtoi se mirëpret mbështetjen e Kongresit, për t’i treguar botës se amerikanët janë të bashkuar.

XS
SM
MD
LG