Lidhje

Presidenti Obama vendos t'i japë fund kontrollit të tabulateve telefonike


Presidenti amerikan Barack Obama njoftoi kufizimin e operacioneve të zgjeruara të përgjimit, duke frenuar aktivitetet e spiunazhit të Agjencisë Kombëtare të Sigurimit.

Presidenti parashtroi një seri ndryshimesh të premten, përfshi dhënien fund të spiunazhit ndaj vendeve aleate dhe kërkoi fillimin e një procesi për t’i vënë miliona tabulatet telefonike nën kontrollin e sistemit të drejtësisë. Ai tha se qeveria do të vazhdojë të grumbullojë të dhëna telefonatash, por gradualisht nuk do të vazhdojë t’i mbajë ato vetë nën kontroll, por do t’ia kalojë ato deri në fund të marsit një agjencie që do të miratohet nga Kongresi.

Zoti Obama i njoftoi ndryshimet mbi mbledhjen e informacioneve të zbulimit në një fjalimi të gjatë, të nxitur nga publikimi i sekreteve të nxjerra nga ish kontraktori i sigurisë kombëtare Edward Snowden. Agjencisë Kombëtare të Sigurimit , NSA-ja, tha se ai ka vjedhur 1,7 milionë dokumente, para se të kërkonte azil në Rusi.

Disa dokumenta tregojnë se Shtetet e Bashkuara kanë përgjuar thirrjet e telefonike të aleatëve të huaj, përfshi telefonin celular të kancelares gjermane Angela Merkel. Por zoti Obama tha se kjo do të përfundojë, dhe aktivitete të ngjashme do të kryehen vetëm në se ka shqetësime “bindëse” rreth sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

"Unë ia kam bërë të qartë komunitetit të zbulimit se - nëse nuk ka një arësye bindëse që lidhet me sigurinë kombëtare - ne nuk do të monitorojmë komunikimet e krerëve të shteteve dhe qeverive të miqve tanë dhe aleatëve të ngushtë", tha presidenti.

Ai tha gjithashtu se u ka kërkuar zyrtarëve ligjorë dhe të zbulimit amerikan të hartojnë disa rregulla të njëjta të përgjimit për shtetasit e huaj, si ato që egzistojnë për qytetarët amerikanë.

Në një fjalim prej 43-minutash, zoti Obama u mundua të krijonte një balancë mes nevojave të vendit për të grumbulluar informacione që do të shmangnin sulme terroriste si ai i vitit 2001 në të ardhmen dhe përgjimeve që shkelin të liritë civile dhe privatësinë e amerikanëve.

Ai tha se vendi ka “armiq dhe kërcënime të vërteta” dhe se zbulimi luan një rol jetik. Por ai shtoi se shqetësimet e privatësisë diktuan ndryshime në programin e grumbullimit të tabulateve telefonike. Ai urdhëroi kufizimin e kërkimeve në të dhënat e telefonave dhe tha se informacioni mund të shihet vetëm pas një rishikimi juridik ose në rast emergjence.

Presidenti tha se ndryshimet duhet t’u japin amerikanëve më shumë besim se privatësia e tyre mbrohet edhe ndërsa autoritetet kërkojnë të mbrojnë vendin.

"Reformat, që po propozoj sot duhet t’i japin popullit amerikan më shumë besim se të drejtat e tyre po mbrohen, edhe ndërsa agjencitë tona të zbulimit dhe të zbatimit të ligjit përdorin mjetet e duhura për të na mbajtur të sigurtë", tha presidenti.

Zoti Obama tha se për shkak të hetimeve kriminale që vazhdojnë ndaj Edward Snowden-it, siç u shpreh ai, “nuk do të harxhonte shumë kohë në veprimet apo motivacionet e zotit Snowden” .

Shtetet e Bashkuara nuk kanë arritur të sigurojnë ekstradimin e Snowden-it për ta gjykuar nën akuzat për spiunazh.
XS
SM
MD
LG