Lidhje

Pres. Obama, turne në katër shtete


Presidenti Barack Obama fillon sot një turne dy ditor në katër shtete, në mbështetje të synimeve që parashtroi dje në fjalimin mbi gjendjen e vendit, ku premtoi të miratojë axhendën e tij ekonomike edhe pa mbështetjen e Kongresit.

Turneu i zotit Obama fillon sot në rrethinat e Uashingtonit, 15 kilometra larg Kapitolit ku ai u bëri thirrje ligjvënësve të punojnë me të për të reformuar sistemin e taksave, për të krijuar vende pune, rritur pagën minimale, për të përmirësuar mundësitë e arsimit dhe për të financuar novacionet.

Presidenti Obama i dha meritën mbrëmë në fjalimin e tij vjetor mbi gjendjen e vendit popullit amerikan për forcimin e vendit. Ai bëri thirrje që ky vitë të jetë "një vit i veprimit."

Ishte një pritje të ngrohtë për presidentin e Shteteve të Bashkuara Barak Obama, pavarësisht grindjeve të ashpra politike në Uashington që kanë zgjatur me muaj. Presidenti nuk humbi kohë për të falenderuar vendin për durimin që ka treguar.

"Sonte, kjo dhomë flet me një zë për popullin që ne përfaqësojmë, ju, qytetarët tanë jeni ata të cilët e bëni të fortë vendin tonë."

Zoti Obama në pjesën më të madhe të fjalimit u përqëndrua në ekonominë dhe çështjet me të cilat përballet klasa e mesme, duke siguruar votuesit se gjërat po përmirësohen.

"Për herë të parë në më shumë se një dekadë, udhëheqësit e biznesit në mbarë botën kanë deklaruar se Kina nuk është më vendi numër një në botë për investime, tani Amerika është në vendin e parë në botë për investime."

Megjithatë, ai tha se përparimi nuk po vjen me shpejtësinë e duhur.

"Në fakt,madje edhe në mes të kësaj rimëkëmbje, shumë amerikanë janë duke punuar më shumë se kurrë vetëm për t’ia dalur. Dhe shumë të tjerë ende nuk punojnë fare."

Një pjesë e zgjidhjes së tij janë propozimet për të rritjen e pagës minimale, zgjerimin e mundësive për arsimim dhe reformën e imigracionit.

"Nëse jemi seriozë në lidhje me rritjen ekonomike, tani është koha për t'i vënë veshin thirrjeve të udhëheqësve të biznesit, udhëheqësve të sindikatave, udhëheqësve fetarë dhe zyrtarëve të zbatimit të ligjit, pra është koha për riparimin e sistemit tonë jo-funksional të imigracionit."

Presidenti Obama gjithashtu u hodh në mbrojtje të ligjit të tij të kujdesit shëndetësor, duke thënë se ai do të punojë me Kongresin kur është e mundur, por ai do të veprojë i vetëm nëse është e nevojshme.

Në përgjigjen Republikane mbrëmë, ligjvënësja Cathy McMorris Rodgers kritikoi politikat e Presidentit Obama.

"Tani për tani, politikat e Presidentit janë duke ia vështirësuar jetën e njerëzve."

Ajo u fokusua në trajtimin e çështjes së pabarazisë lidhur me mundësitë e amerikanëve.

Ajo tha se presidenti Obama është përqendruar në vend të kësaj në pabarazitë në të ardhura, dhe se politikat e administratës së tij kanë zgjeruar hendekun mes gjendjes në të cilën njërëzit janë dhe gjendjes në të cilën ata duan të jenë.

Ligjvënësja McMorris Rodgers tha se republikanët kanë plane për të shtuar vendet e punës pa rritur shpenzimet e qeverisë, dhe për të përmirësuar programet e arsimit dhe trajnimit për të përgatitur më mirë njerëzit për të hyrë në tregun e punës.

Ajo tha gjithashtu se republikanët duan t’u lënë forcës punëtore më shumë nga paga e tyre nëpërmjet taksave të ulëta, dhe çmimeve të ulëta të energjisë dhe kujdesit shëndetësor.

Ajo gjithashtu theksoi dëshirën për të trajtuar sistemin e imigracionit të vendit, duke thënë se reformat duhet të fillojë me sigurimin e kufijve të vendit.
XS
SM
MD
LG