Lidhje

Obama: Sulmet e koalicionit ushtarak, përgjigje ndaj thirrjeve të popullit libian

  • Dan Robinson

Obama: Sulmet e koalicionit ushtarak, përgjigje ndaj thirrjeve të popullit libian

Obama: Sulmet e koalicionit ushtarak, përgjigje ndaj thirrjeve të popullit libian

Duke thënë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre po “u përgjigjen thirrjeve të një populli të kërcënuar”, Presidenti Obama foli më në hollësi rreth sulmit ushtarak të koalicionit kundër forcave udhëheqësit libian Moamar Gadafi. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Dan Robinson, na informon nga kryeqyteti i Brazilit, ku ndodhet me grupin e shtypit që shoqëron presidentin amerikan.

Presidenti Obama tha se u dha urdhër forcave të armatosura për të filluar veprime të kufizuara ushtarake dhe tha se sulmet nga forcat e një koalicioni të zgjeruar kanë për qëllim mbrojtjen e popullit libian dhe zbatimin e rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të miratuar javën e kaluar.

Duke folur ndërkohë që luftanijet dhe nëndetëset qëllonin me raketa kruz Tomahok objektivat ushtarake libiane, Presidenti Obama tha se zoti Gadafi kishte shpërfillur thirrjet ndërkombëtare për armëpushim.

"Megjithë fjalët e përgjithshme të qeverisë së tij, ai e injoroi mundësinë që iu dha. Sulmet e tij kundër popullit të vet kanë vazhduar, forcat e tij kanë qënë në lëvizje dhe rreziku për popullin libian është shtuar”.

Përdorimi i forcës ushtarake nuk është një zgjedhje që ai e vendosi lehtësisht, tha Presidenti Obama, dhe theksoi edhe një herë se nuk do të ketë angazhim të trupave amerikane në terren.

Por ai tha se bota nuk mund të qendronte në heshtje kur “një tiran i thotë popullit të tij se nuk ka mëshirë” për të, siç u shpreh zoti Obama.

"Për ta thënë fare qartë, veprimet kanë pasoja dhe vendimi i komunitetit ndërkombëtar duhet vënë në zbatim. Ky është objektivi i koalicionit”.

Më herët avionët francezë filluan sulmet kundër forcave të qeverisë libiane dhe Pentagoni tha se 112 raketa kruz, të hedhura nga anijet dhe nëndetëset amerikane dhe britanike, qëlluan 20 pika libiane të raketave tokë-ajër dhe të komunikimit. Admiral Uilliam Gortni është drejtor i Shtatmadhorisë amerikane.

"Misioni ynë tani është t’i japim atë formë hapësirës së betejës që partnerët tanë të kenë mundësi të udhëheqin në ekzekutimin e tij. Siç ka thënë presidenti, ne nuk do të përdorim forcën përtej synimeve të përcaktuara mirë, veçanërisht mbrojtjes së civilëve libianë”.

Admirali nuk diskutoi ato që i quajti operacione të mundëshme të së ardhmes dhe nëse ato do të përfshinin vënien në shënjestër të objekteve të komandës dhe kontrollit të Gadafit.

Veç Francës, në koalicion bëjnë pjesë Britania e Madhe, Italia dhe Kanadaja, por pritet gjithashtu që në të të marrin pjesë edhe vendet arabe. Pentagoni tha se vende të tjera evropiane dhe arabe të angazhuara do të bëjnë njoftimet e tyre.

Më herët, trupat e qeverisë libiane hynë në qytetin e dytë më të madh të Libisë, Bengazi, duke sfiduar kërkesat e komunitetit ndërkombëtar dhe duke shpërfilluar shpalljen e mëparëshme të armëpushimit.

Ndërkohë në Paris, sekretarja e Shtetit Hillari Klinton tha se Shtetet e Bashkuara do të përdorin gjithë kapacitetet e tyre për të ndihmuar partnerët evropianë dhe të tjerë në zbatimin e zonës së ndalim-fluturimit në hapësirën ajrore të Libisë.

"Bota nuk do të qendrojë pasive, ndërkohë që më shumë civilë vriten. Shtetet e Bashkuara do të mbështesin aleatët dhe partnerët e tyre, ndërkohë që ata vënë në zbatim rezolutën 1973 të Kombeve të Bashkuara. Ne mbështesim popullin e Libisë dhe nuk do të hezitojmë në përpjekjet tona për ta mbrojtur atë”.

Në një letër drejtuar Presidentit Obama dhe udhëheqësve të tjerë botërorë, udhëheqësi libian Moamar Gadafi tha se presidenti do të pendohet për atë që e quajti “ndërhyrje në punët e brendëshme të Libisë”, duke e cilësuar mëtej si agresion.

XS
SM
MD
LG