Lidhje

Obama: Sulmuesit dhe axhenda e tyre dështuan


Presidenti Barak Obama thotë se kapja e personit të dyshuar për shpërthimet në Maratonën e Bostonit mbyll atë që ai e cilësoi “një kapitull të rëndësishëm në këtë tragjedi”.

Zoti Obama foli në Shtëpinë e Bardhë pak pasi forcat e rendit kapën 19-vjeçarin Dzhokhar Tsarnaev në Watertown të shtetit Masaçusets. Vëllai i tij u vra dje gjatë përpjekjeve për t’i shpëtuar policisë.

Presidenti tha se megjithëse mbeten shumë pyetje lidhur me këtë situatë, dy vëllezërit nuk e arritën qëllimin e tyre.

“Ajo që dimë është se çfarëdo axhende e urryer i shtyu këta individë drejt këtyre akteve të shëmtuara, ajo nuk do të triumfojë dhe nuk mund të triumfojë. Çfarëdo menduan ata që mund të arrinin, ata kanë dështuar. Ata dështuan pasi populli i Bostonit nuk pranon të trembet. Ata dështuan pasi amerikanët nuk pranojnë të terrorizohen”.

Presidenti Obama i bëri thirrje publikut të mos ngutet në nxjerrjen e përfundimeve për motivet e sulmit dhe të lejojë që hetimet të nxjerrin në pah të vërtetën.
XS
SM
MD
LG