Lidhje

Obama: Nuk jemi në luftë me Islamin


Presidenti Barack Obama foli në një takim të nivelit të lartë për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, që po mbahet në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti amerikan Barack Obama, tha se Shtetet e Bashkuara nuk janë në luftë me islamin. Udhëheqësi amerikan tha në një takim në Shtëpinë e Bardhë për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, se ai dëshiron të hedhë poshtë besimin se amerikanët dhe perëndimorët në përgjithësi janë në kundërshtim me myslimanët. Ai tha se ky rrëfim ndihmon ekstremistët të radikalizojnë dhe të rekrutojnë të rinj amerikanë dhe të tjerë.

Deri tash, Shtetet e Bashkuara ishin përqendruar në luftën ushtarake kundër militantëve islamik. Tani president Obama tha se është koha për të trajtuar aspektin ideologjik dhe shkaqet që ndikojnë tek të rinjtë që të jenë të rrezikuar nga radikalizimi.

Pasi u kritikua për mos përmendjen e fjalës “islamik” kur u referohej ekstremistëve, ai bëri thirrje për përballje të drejtpërdrejtë dhe të ndershme me kërcënimet.

“Ne nuk jemi në luftë me Islamin”, tha ai.

Amerikanët janë tmerruar nga pamjet e mizorive të kryera nga ekstremistët e Shtetit Islamik, disa nga të cilët janë rekrutuar në mesin e komuniteteve të emigrantëve mysliman në qytete si Minneapolis, që është strehë e emigrantëve kryesisht nga Somalia.

Komunitetet e tilla të pakënaqura për shkak të diskriminimit, varfërisë, mungesës së arsimimit dhe korrupsionit, e bëjnë më të lehtë për terroristët që të përfitojnë nga të rinjtë, kryesisht nëpërmjet rrjeteve sociale.

Presidenti Obama, mblodhi udhëheqës fetar, policor e të tjerë në takimin në Shtëpinë e Bardhë, për të trajtuar shkaqet e radikalizimit.

“Nëse do të trajtojmë sfidat e përpjekjeve të tyre për të rekrutuar të rinjtë, nëse ngrisim zërin e tolerancës dhe pluralizmit në komunitetin mysliman, atëherë do të bëjmë që puna e tyre të bëhet më e vështirë për të shpërndarë rrëfimin që ekziston në shumë bashkësi myslimane se perëndimi është në armiqësi me Islamin”, tha presidenti Obama.

Qëllimi është që të hartohen programe që do të ndryshojnë perceptimin në rrugë. Në St, Paul të Minneapolisit, programe sprovuese janë duke u zbatuar me ndihmën e udhëheqësve të moderuar mysliman, përfshirë edhe disa që janë pjesëmarrës në takim.

“Ne besojmë në të drejtën e të gjithë njerëzve që të jetojnë në paqe e siguri. Imamët mysliman kanë dënuar dhe vazhdojnë të dënojnë këdo që përpiqet të shfrytëzojë besimin islam për të mbështetur terrorizimin”, tha Abdisalam Adam, imam i Minneapolisit.

Pas debateve të tilla, çështja është nëse programet qeveritare do të arrijnë të orientojnë të rinjtë drejt atyre që përfaqësojnë pikëpamje të moderuara islame dhe të ndihmojnë që t’u bëjnë ballë joshjeve të ekstremistëve.

XS
SM
MD
LG