Lidhje

Obama: Vendimi për homoseksualët, fitore për Amerikën


Presidenti Barack Obama përshëndeti si “një fitore për Amerikën” vendimin e së premtes së Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara se çiftet homoseksuale kanë të drejtën të martohen kudo në Shtetet e Bashkuara.

Vendimi është një triumf historik për lëvizjen amerikane të të drejtave të homoseksualëve.

Gjykata vendosi me 5 vota pro dhe 4 kundër se garancitë e Kushtetutës amerikane për proces të drejtë dhe mbrojtje të barabartë para ligjit, nënkuptojnë se shtetet nuk mund të ndalojnë martesat mes homoseksualëve.

Aktualisht, çiftet e të njëjtit seks mund të martohen në 36 shtete dhe në Uashington DC. Ky vendim do ta zgjerojë këtë të drejtë në 50 shtete.

“Ky vendim do t’i japë fund pasigurisë me të cilat përballen qindra-mijëra çifte të të njëjtit seks dhe do të fuqizojë të gjitha komunitetet tona”, - tha Presidenti Obama.

Zoti Obama gjithashtu telefonoi edhe personin kryesor të palës paditëse, Jim Obergefell duke e uruar drejtpërdrejt në televizion.

Opinioni i shumicës u shkrua nga anëtari i gjykatës, Anthony Kennedy:

“Mohimi i së drejtës për martesë për çiftet e të njëjtit seks, sjell një dëm të madh dhe të vazhdueshëm. Një imponim i tillë shërben për t’u mohuar atyre respektin dhe për t’i nënshtruar. Dhe klauzola e Mbrojtjes së Barabartë dhe ajo e Procesit të Nevojshëm, e ndalon këtë shkelje të pajustifikuar të së drejtës themelore për t’u martuar”.

Në opinionin kundër, kreu i Gjykatës John Roberts shkroi:

“Nëse jeni një nga shumë amerikanët, të çfarëdolloj orientimi seksual që janë pro zgjerimit të martesave mes njerëzve të të njëjtit seks, patjetër përshëndeteni këtë vendim. Festoni arritjen e objektivit të arritur dhe mundësinë për një shprehje të re përkushtimi ndaj një partneri, si edhe mundësinë e të drejtave të reja. Por mos përshëndesni Kushtetutën, sepse nuk kishte aspak të bënte me këtë vendim”.

Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë është zgjerimi më i rëndësishëm i së drejtës për t’u martuar në Shtetet e Bashkuara që nga vendimi historik i vitit 1967 Loving ndaj shtetit të Virxhinias që rrëzoi ligjet shtetërore që ndalonin martesat mes personave të racave të ndryshme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG