Lidhje

Obama: Nuk e vendosa unë "vijën e kuqe" por bota


Presidenti Barak Obama tha se besueshmëria e bashkësisë ndërkombëtare dhe e Kongresit rrezikohen nëse sulmi me armë kimike në Siri nuk merr një përgjigje.

Ai i bëri komentet gjatë një konference për shtyp në kryeqytetin suedez me kryeministrin e Suedisë, Fredrik Reinfeldt.

Presidenti Obama është duke kërkuar mbështetjen e Kongresit amerikan dhe atë ndërkombëtare për një veprim ushtarak kundër regjimit të Presidentit sirian Bashar Assad.

Zoti Obama hodhi poshtë komentet se ishte ai që vendosi vijën e kuqe për veprim kundër Sirisë në rast se Presidenti Assad do të përdorte armët kimike.

Ai tha se vija e kuqe ishte vendosur nga komuniteti ndërkombëtar dhe nga Kongresi i cili ka ratifikuar një traktat që dënon përdorimin e armëve kimike.

Ai shprehu besim se Kongresi amerikan do të japë autorizimin për një goditje ushtarake kundër Sirisë.

Presidenti pranoi se një reagim ushtarak nuk do ta zgjidhte luftën civile në Siri, por do të ishte i nevojshëm për të dërguar një mesazh të qartë.

Presidenti këto ditë është përpjekur të sigurojë mbështetje brenda dhe jashtë vendit për të vepruar kundër Sirisë. Ai po bën një ndalesë një-ditore në Stockholm para se niset për në Rusi për të marrë pjesë në takimin e G-8ës.

Ndërkohë, Komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë i Senatit mund të votojë ndoshta që sot për autorizimin e forcës ushtarake në Siri.

Udhëheqësit e Komisionit ranë dakord mbrëmë vonë për hollësitë e planit, që do t’i jepnin zotit Obama autoritetin për të urdhëruar një sulm të kufizuar ndaj objektivave ushtarake të Sirisë për 60 ditë.

Presidenti mund ta shtyjë afatin edhe me 30 ditë të tjera, sipas disa kushteve të caktuara. Rezoluta për Sirinë nuk do të autorizonte përdorimin e trupave tokësore.
XS
SM
MD
LG