Lidhje

Media ruse: Moska ka dorëzuar një plan veprimi


Agjencitë ruse të lajmeve njoftojnë se Moska ja ka dorëzuar Washingtonit planin e vet, për të siguruar armët kimike të Sirisë në prag të një takimi nesër në Gjenevë mes Sekretarit të Shtetit John Kerry dhe homologut të tij rus. Hollësitë nuk janë bërë të njohura. Zoti Kerry ka thënë se arritja e një marrëveshjeje mbi planin e armëve kimike do të ishte “jashtëzakonisht e vështirë”.

Një zyrtar francez tha sot se negociatat për një rezolutë të Kombeve të Bashkuara, e cila do të siguronte që plani rus të zbatohet pa humbur kohë, kanë filluar. Rusia tashmë i ka kundërshtuar disa elemente të rëndësishme të planit, përfshirë gjuhën që lejon përdorimin e forcës kundër Sirisë.

Ndërkohë,në një fjalim që mbajti mbrëmë në televizion, Presidenti Barak Obama tha se është "i inkurajuar" nga përpjekja e re diplomatike për të zgjidhur krizën pas sulmit me armë kimike muajin e kaluar në Siri. Por Presidenti tha se parimet amerikane dhe siguria kombëtare e Shteteve të Bashkuara janë të rrezikuara në Siri, dhe Kongresi mund të duhet të votojë më vonë për të mbështetur një goditje të mundshme ushtarake të kufizuar.

Presidenti Obama e mbajti premtimin për të folur drejtpërdrejt përpara amerikanëve rreth asaj që ai e shikon si mjaft të rëndësishme për sigurinë globale, pra që sulmi me armë kimike i 21 gushtit në periferi të Damaskut të marrë një përgjigje të vendosur.

Duke rikujtuar numrin e të vdekurve – që sipas zbulimit amerikan arrinte në të paktën 1.400 burra, gra dhe fëmijë, ai tha se bota nuk mund ta pranojë këtë sulm, që sipas tij është kryer nga Presidenti sirian Bashar al - Assad.

"Kur diktatorët kryejnë mizori, ata jetojnë me shpresën se bota do të mbyllë njërin sy, deri sa pamjet e tmerrshme të zbehen nga kujtesa. Por këto gjëra kanë ndodhur. Faktet nuk mund të mohohen. Çështja tani është se çfarë janë gati të bëjnë Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar."

Para fjalimit të Presidentit, drama siriane ishte objekt debati në Kongres, ku ligjvënësit shtruan pyetje për Sekretarin e Shtetit John Kerry rreth një nisme të mbështetur nga Rusia dhe të pranuar nga Siria, për vënien e armëve të saj kimike nën kontrollin ndërkombëtar.

"Kjo duhet të jetë e shpejtë, e vërtetë dhe e verifikueshme," tha zoti Kerry.

Nga ana e tij, Presidenti Obama i kërkoi Kongresit që ta shtyjë votimin ndërkohë që ndiqet rruga diplomatike.

Zoti Obama tha se nëse do të nevojitet një goditje ushtarake, qëllimi i saj do të ishte të pengonte përdorimin e armëve kimike dhe të degradonte aftësitë e qeverisë së Asadit. Ai tha se çdo veprim në të ardhmen nuk do të ishte i pakufizuar në kohë, si në Irak apo Afganistan, as do të përfshinte një operacion të tejzgjatur ajror si në Libi apo Kosovë.

Kjo gjithashtu do të pakësonte rreziqet për aleatët e Shteteve të Bashkuara, si Izraeli, Turqia dhe Jordania dhe do t'i dërgonte një mesazh mes të tjerave, Iranit, aleatit të Sirisë.

"Nëse nuk e kundërshtojmë përdorimin e armëve kimike, kjo do të dobësonte ndalimet për armët e tjera të shkatërrimit në masë dhe do të trimëronte aleatin e Asadit, Iranin, i cili duhet të vendosë nëse do të shpërfillë ligjin ndërkombëtar duke ndërtuar një armë bërthamore, apo do të ndjekë një rrugë më paqësore."

Udhëheqësi republikan i Senatit Mitch McConnell tha se ai nuk do të votonte për një rezolutë që autorizon goditje ushtarake.

"Ky propozim thjesht nuk vlen," tha senatori McConnell.

Ndërkohë, anketat tregojnë se amerikanët e kundërshtojnë me forcë çdo sulm ushtarak në Siri.

Fjalimi i presidentit u drejtohej si ligjvënësve ashtu edhe amerikanëve të thjeshtë:

"Unë do t'i lutesha çdo anëtari të Kongresit si dhe juve që po më ndiqni nga shtëpitë tuaja, të shihni videot e sulmit kimik dhe pastaj të shtroni pyetjen: Në çfarë lloj bote do të jetojmë në qoftë se Shtetet e Bashkuara shohin një diktator që shkel paturpësisht ligjin ndërkombëtar me gaz helmues, dhe ne mbyllim njërin sy?"

Ndërsa luftimet në Siri vazhdojnë, presidenti Obama premtoi të dyfishojë përpjekjet për një zgjidhje politike, në qoftë se veprimi ushtarak bëhet i nevojshëm.
XS
SM
MD
LG