Lidhje

Obama siguron amerikanët për luftën kundër terrorizmit


Presidenti Barak Obama u përpoq mbrëmë të sigurojë amerikanët se SHBA po marrin masa për të luftuar terrorizmin dhe u bëri thirrje njerëzve të mos dorëzohen përpara frikës. Në një fjalim televiziv drejtuar vendit, Presidenti shpalosi strategjinë e tij për ta mbajtur vendin të sigurtë, ndërkohë që nuk është mbushur java nga masakra në Kaliforni, që ai e quajti një akt terrorizmi.

Hetuesit besojnë se masakra në San Bernardino ishte e frymëzuar nga grupi militant Shteti Islamik. Ajo u vu në jetë nga Syed Farook, i lindur në SHBA dhe nga gruaja e tij e lindur në Pakistan, Tashfeen Malik.

Në fjalimin drejtuar vendit, Presidenti Barak Obama e përshkroi kështu motivin:

“Është e qartë se të dy ata i kishin hyrë rrugës së errët të radikalizimit, duke përqafuar një interpretim të mbrapshtë të Islamit, që bën thirrje për luftë kundër Amerikës dhe Perëndimit. Ata kishin grumbulluar armë, municione dhe bomba artizanale. Pra, ishte një akt terrorizmi.”

Zoti Obama tha se FBI-ja nuk ka gjetur prova se sulmi ka qenë i drejtuar nga ndonjë grup terrorist, apo nëse ka qenë pjesë e ndonjë komploti më të gjerë brenda vendit.

Militantët e Shtetit Islamik jashtë vendit e kanë përshkruar çiftin në fjalë si mbështetës të tyre.

Presidenti Obama tha se ndërkohë që SHBA e kanë shtuar trysninë mbi terroristët jashtë vendit, kërcënimi ka evoluar:

“Ndërkohë që ne kemi përmirësuar aftësitë për t’u përballur me sulme komplekse që nga 11 shtatori, terroristët po përdorin akte më pak të komplikuara dhune, si vrasjet në masë, që janë të zakonshme në shoqërinë tonë.”

Presidenti Obama shpalosi strategjinë e tij për të luftuar terrorizmin brenda dhe jashtë vendit.

Ai tha se SHBA do ta mbajë trysninë mbi ISIS-in në Irak dhe Siri, duke forcuar koalicionin kundër terrorizmit dhe duke punuar për një tranzicion politik në Siri.

Presidenti bëri thirrje për rishikimin e programit që jep viza fejese, si ajo që lejoi pakistanezen Malik të hynte në vend. Ai bëri thirrje gjithashtu që Kongresi të miratojë ligje më të rrepta për armëmbajtjen.

Por analisti i sigurisë Nicholas Palarino, tha përmes Skype-it se Presidenti Obama duhet të ndryshojë strategji për të parandaluar sulmet:

Nëse një terrorist në SHBA apo kudo në botë dëshiron të ketë një armë, mund ta ketë atë. Nëse dëshiron të ndërtojë një bombë artizanale, mund ta ndërtojë.”

Presidenti Obama bëri thirrje përsëri që Kongresit të autorizojë përdorimin e forcës ushtarake kundër terroristëve dhe që amerikanët të qëndrojnë të bashkuar e të mos i përulen frikës.

Dhe, për të shmangur sulme të tjera si ai i San Bernardinos, Presidenti premtoi se SHBA vazhdimisht do ta rishikojnë strategjinë e tyre për të parë nëse është e nevojshme të ndërmerren hapa të tjerë për të mbrojtur popullin amerikan.

Kandidatët republikanë për president e kritikuan fjalimin e Presidentit Obama.

Senatori Rand Paul tha në Tweeter se Presidenti e ka 100 përqind gabim. “Administrata Obama, - tha senatori, - është përqendruar te ligjet e armëmbajtjes, të cilat nuk do t’i ndalin terroristët.”

Kandidatja Carly Fiorina u shpreh kështu për fjalimin: “Pa strategji, pa rol udhëheqës. Politikë bajate.”

Senatori Ted Cruz tha: “Unë do ta mbyll sistemin e imigracionit, që lejon hyrjen e xhihadistëve në vendin tonë, nëse zgjidhem president.”

Ndërsa Jeb Bush reagoi kështu: “Presidenti Obama më në fund u detyrua të heqë dorë nga fantazia politike katëvjeçare se kërcënimi i terrorizmit është në rënie."

XS
SM
MD
LG