Lidhje

Obama, thirrje Kongresit të ndreqë sistemin e çalë të imigracionit

  • Kent Klain

Presidenti Obama tha se sistemi amerikan i emigracionit nuk funksionon dhe është i rrezikshëm dhe se kufijtë e Amerikës janë shumë të gjata për ta zgjidhur këtë problem duke ndërtuar më shumë mure ndarëse.

"Sistemi nuk funksionon dhe të gjithë e dimë. Fatkeqësisht, reforma është mbajtur peng nga gjestet politike dhe manovrat me synim interesat e veçanta si dhe nga ndjenja depërtuese në Uashington se zgjidhja e një çështje kaq të vështirë dhe emocinuese përbën një politikë të keqe".

Duke folur në Fakultetin e Shërbimeve Ndërkombëtare të Universitetit Amerikan, presidenti bëri thirrjen e tij të parë të rëndësishme lidhur me një reformë të gjithanshme të politikave të emigracionit.

Ai nuk njoftoi ndonjë nismë të re mbi këtë çështje, por e cilësoi ndryshimin e sistemit amerikan të emigracionit një domosdoshmëri morale urgjente.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se vendimi i presidentit për të folur rreth kësaj çështjeje u ndikua nga disa faktorë, përfshirë edhe miratimin kohët e fundit nga shteti i Arizonës i një ligji të ashpër kundër emigrantëve të paligjshëm.

Zoti Obama tha se mos veprimi në nivelin federal ka çuar në atë që ai e konsideron ligj negativ.

"Në këtë aspekt, shtete si Arizona kanë vendosur të zbatojnë vetë ligjin. Duke pasur parasysh nivelin e pakënaqësisë në gjithë vendin, kjo është e kuptueshme. Por në të njëjtën kohë është një veprim i gabuar".

Ligji i ri i Arizonës ka shkaktuar protesta në gjithë vendin, megjithëse sipas anketave të opinionit, shumica e amerikanëve të pyetur e mbështesin atë.

Presidenti tha se një zgjidhje e gjithanshme është e nevojshme për problemin e emigracionit në Amerikë.

Ai u përpoq të siguronte përsëri ata njerëz, që kërkojnë masa të ashpra kundër emigranëtve të paligjshëm, se ai nuk mbështet dhënien e amnistisë njerzve që ndodhen në Shtetet e Bashkuara në shkelje të ligjit.

"Në fund të fundit, vendi ynë, ashtu si të gjitha vendet, ka të drejtën dhe detyrimin që të kontrollojë kufijtë dhe të miratojë ligje rreth së drejtës së banimit dhe qytetarisë. Dhe pavarësisht sa të ndershëm janë këta njerëz, pavarësisht se cilat janë arsyet e tyre, 11 milion njerëzit që kanë shkelur këto ligje duhet të mbajnë përgjegjësi".

Zoti Obama siguroi gjithashtu grupet pro-emigrantëve se ai nuk synon të kapë dhe të deportojë ata njerëz që janë në Amerikë ilegalisht.

"Ata e dinë se kjo nuk është e mundur. Një përpjeke e tillë do të ishte e pamundur nga ana logjistike dhe tepër e kushtueshme. Për më tepër, një përpjekje e tillë do të dëmtonte rëndë parimin themelor të vendit tonë".

Presidenti Obama u bëri thirrje ligjvënësve amerikanë që të marrin guximin politik për të zgjidhur këtë çështje të rëndësishme.

Megjithë thirrjen e presidentit, anëtarët e Kongresit, shumë prej të cilëve janë në mes të fushatës për t’u rizgjedhur në nëntor, nuk ka të ngjarë të shqyrtojnë këtë vit çështjen e debatueshme të reformës së emigracionit në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG