Lidhje

Presidenti Obama bën thirrje për unitet në Evropë në fund të takimit të Varshavës


Presidenti Barack Obama premtoi mbështetje afatgjatë të Shteteve të Bashkuara për Evropën dhe bëri thirrje për unitet në atë që ai e quajti një "moment i rëndësishëm" për aleancën e NATO-s dhe Evropën. Presidenti Obama i dha fund takimeve në samitin dy-ditor të NATO-s në Poloni, ku vendet anëtare miratuan një masë të re ndaj Rusisë, duke njoftuar rotacionin e më shumë trupave në Poloni dhe shtetet baltike. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Luis Ramirez njofton nga Varshava.

Një shfaqje e forcës dhe unitetit, në një kohë të pasigurisë nuk është parë që nga Lufta e Ftohtë. Takimi trajtoi shqetësimet e disa vendeve dhe miratoi një drejtim të ri.

"Në kohë të mira dhe në kohë të vështira, Evropa gjithmonë mund të mbështetet në Shtetet e Bashkuara. Dhe këtu në Varshavë, ne nuk kemi rikonfirmuar vetëm detyrimet ndaj artikullit 5 për sigurinë tonë të përbashkët, ne jemi duke bërë hapa përpara në përforcimin më të rëndësishëm të mbrojtjes tonë kolektive, që nga Lufta e Ftohtë".

Një nga shqetësimet kryesore të Presidentit Obama ishte dalja e Britanisë nga Bashkimi Evropian dhe pyetja nëse mungesa e saj mund të dobësonte NATO-n.

"Unë mendoj se ky takim ka theksuar një mesazh shumë të rëndësishëm që, ndërsa Britania mund të largohet nga Bashkimi Evropian, ne nuk jemi tërhequr nga bota, nuk ia kemi kthyer shpinën Evropës, apo sigurisë evropiane."

Ky është quajtur takimi i nivelit të lartë më i rëndësishëm që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, një pikë kthese në një kohë kur fokusi i NATO-s është zhvendosur nga mbrojtja e anëtarëve të saj në frenimin e një Rusie më agresive.

Përgjigja e NATO-s: përforcime, dërgim të batalioneve shtesë me rotacione në vendet baltike dhe Poloni. Dhe një shtim të presionit ndaj Moskës në lidhje me çështjen e Ukrainës.

"28 vendet tona janë të bashkuar në pikëpamjen tonë se nuk mund të ketë shkëmbime normale me Rusinë deri sa ajo të zbatojë plotësisht detyrimet e veta ndaj marrëveshjes së Minskut."

Dhe më në fund, udhëheqësit në Varshavë trajtuan çështjen e rolit afatgjatë të NATO-s në Afganistan, ku për shkak të dhunës së vazhdueshme fundi i rolit të saj atje nuk është afër. Përveç 3.5 miliardë dollarëve në vit që Shtetet e Bashkuara po kontribuojnë, ka pasur angazhime edhe nga të tjerët.

"Një nga arritjet më të mëdha të këtij takimi është se gati një miliardë dollarë janë premtuar nga vende të tjera e jo Shtetet e Bashkuara, pothuajse të gjitha nevojat tona atje janë përmbushur."

Tragjedia në Dallas bëri që Presidenti Obama të shkurtonte vizitën e tij në Evropë, por ai qëndroi deri në fund të takimit që shihej si shumë i rëndësishëm për t’u ndërprerë.

XS
SM
MD
LG