Lidhje

Mandati i dytë i presidentit Obama


Revista “Time” e emëroi presidentin Obama “Njeriu i vitit” për 2012-ën, pas një viti të trazuar në politikën amerikane. Presidenti Obama u rizgjodh në zgjedhjet e nëntorit, pas një fushate të ashpër me kandidatin republikan, Mitt Romney. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerik[s Jim Malone, Presidenti ka përpara një sërë sfidash gjatë mandatit të tij të dytë.

Pas një fushate të vështirë për rizgjedhje, Presidenti Obama e fitoi garën me rivalin republikan Mitt Romney dhe ka projektuar një mandat të ri për 4 vjetët e ardhshëm.

“Në sajë të punës dhe përpjekjeve tuaja unë kthehem në Shtëpinë e Bardhë më i vendosur dhe më i frymëzuar se kurrë, për të punuar më tej dhe për të ardhmen që shtrihet para nesh.”

Por Presidenti pati pak kohë për ta shijuar triumfin. Ai shumë shpejt u përfshi në negociata të komplikuara me republikanët në Kongres, për të shmangur “katastrofën fiskale”. Eshtë një kombinim i rritjes së madhe të taksave dhe shkurtimeve buxhetore që hyjnë në fuqi në janar, në se Kongresi dhe Presidenti nuk arrijnë një marrëveshje për planin e pakësimit të deficitit buxhetor.

Pastaj, në dhjetor, Presidentit iu desh përsëri të luajë rolin si “mjekues i plagëve”, pas ngjarjes tragjike në shkollën fillore në Newtown të Connecticut-it, ku u vranë 28 persona, 20 prej tyre fëmijë 5-7 vjeçarë.

“Nuk mund të lejojmë më të ndodhë kështu. Tragjedi të kësaj natyre duhet të marin fund. Dhe për t’u dhënë fund atyre, ne duhet të ndryshojmë.”

Por ndërsa ai sheh përpara drejt mandatit e tij të dytë, zoti Obama ka shansin të rifillojë nga e para, thotë ish-shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë gjatë presidencës së Ronald Reganit, Ken Duberstein.

“Njerëzit po i japin një shans të dytë presidentit Obama, ndoshta që ai ta verë në jetë premtimin që bëri më 2008, që ishte transformimi me themel i Washingtonit, për një frymë të re bashkëpunimi, ose e kundërta.”

Pas 4 vjetësh fushatë kundër Presidentit, ky është gjithashtu rasti që republikanët të fillojnë nga e para. Thomas Mann është analist në Institutin Brookings.

“Në realitet, nuk është diçka e thjeshtë për republikanët që të qëndrojnë në opozitë gjatë të gjithë mandatit të Presidentit Obama. Nëse ata do të shihen nga njerëzit si pengesa për të bërë diçka, për zgjidhjen e problemeve të vendit, atëhere kjo do të thotë se ata në fakt do të jenë duke shkruar çertifikatën e tyre të vdekjes.”

Ish-shefi i stafit i Shtëpisë së Bardhë, Ken Duberstein thotë se ditët që do të vijnë mund të sjellin vendime të vështira për taksat dhe shpenzimet qeveritare dhe kjo do të thotë që presidentit do t’i duhet t’u kërkojë aleatëve demokratë në Kongres që të bëjnë lëshime.

“Pjesa më e madhe e udhëheqësve u thonë herë pas here “JO” aleatëve më të fortë dhe “PO” disa prej kundërshtarëve më të ashpër. … Sepse njerëzit duhen bashkuar”.

Presidenti Obama do të bëjë zyrtarisht betimin për mandatin e tij të dytë më 20 janar dhe ceremonia e inaugurimit të tij zhvillohet një ditë më pas.
XS
SM
MD
LG