Lidhje

Presidenti Obama i uron fitoren republikanit Donald Trump


Presidenti amerikan Barack Obama u zotua të mërkurën për të punuar për një tranzicion të qetë të pushtetit me presidentin e sapozgjedhur, Donald Trump, i cili ka premtuar shfuqizimin e nismës më të madhe politike të presidentit Obama, ligjit për kujdesin shëndetësor.

Në një fjalim të shkurtër në oborrin e Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Obama u bëri thirrje demokratëve dhe tjerëve që të vënë mënjanë zhgënjimin e tyre dhe të zgjedhin një ton pozitiv pas humbjes së rëndë në zgjedhjet e së martës.

"Nuk është sekret që unë kam dallime tepër të mëdha me presidentin e zgjedhur", tha presidenti Obama në lidhje me zotin Trump, i cili ka vënë në pikëpyetje vendlindjen e zotit Obama, duke aluduar se ai nuk ka lindur në Shtetet e Bashkuara dhe nuk ka të drejtë për t’u bërë president.

"Ne të gjithë tani i urojmë atij sukses në bashkimin dhe drejtimin e vendit", tha presidenti Obama.

Presidenti Obama dhe bashkëshortja e tij, Michelle, bënë fushatë intensive në mbështetje të kandidates demokrate, Hillary Clinton, për të mundur zotin Trump, duke pranuar se arritjet e presidentit në çështjet e kujdesit shëndetësor, ndryshimet klimatike dhe reformën financiare do të viheshin në rrezik nëse Donald Trump do të bëhej president.

Por fjalimi i sotëm i Presidentit Obama u përqëndrua në sigurimin e një tranzicioni të suksesshëm për zotin Trump, duke vënë në dukje se paraardhësi i tij republikan, ish-presidenti George W. Bush, e kishte bërë të njëjtën gjë për atë tetë vjet më parë.

"Të gjithë trishtohen, kur partia e tyre humbet zgjedhjet, por një ditë pas humbjes ne duhet ta kujtojmë se ne të gjithë në fakt jemi në një ekip. Unë dua të sigurohem që të ketë një kalim sa më të mirë të pushtetit, sepse në fund të fundit ne të gjithë jemi në të njëjtin ekip", tha Presidenti Obama.

Presidenti i zgjedhur, Donald Trump shënoi një fitore të paparashikuar të martën duke siguruar 270 votat e nevojshme elektorale për t’u bërë president i Shteteve të Bashkuara.

Mandati i tij katër-vjeçar fillon më 20 janar dhe Presidenti i zgjedhur, Donald Trump do të ketë shumicën republikane në të dyja dhomat e kongresit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG