Lidhje

SHBA: Përballje dramatike mes administratës aktuale dhe asaj të re për "Obamacare"


Presidenti amerikan Barak Obama ishte të mërkurën në Kongres për të mobilizuar ligjvënësit demokratë të mbrojnë ligjin e tij për kujdesin shëndetësor. Ai iu largua pothuajse pa komentuar përveç një përgjigjeje të shkurtër një pyetjeje, duke thënë se “ne po kujdesemi për interesat e popullit amerikan”.

Në të njëjtën kohë nënpresidenti i zgjedhur Mike Pence ishte në Kongres për të folur me republikanët për të diskutuar për axhendën e administratës së ardhshme që përfshin anulimin e ligjit, të njohur si “Obamacare”.

Këto takime paralele sinjalizojnë një betejë të fortë që pritet të fillojë në Uashington, ndërkohë që afron momenti i tranzicionit mes dy administratave.
“Shfuqizimi i planit Obamacare, do të jetë në rendin e parë të ditës”, tha zoti Pence para gazetarëve.

Ligji për Kujdes Shëndetësor me Kosto të Përballueshme u miratua nga Kongresi në vitin 2010, kur demokratët kontrollonin të dyja Dhomat e Kongresit dhe Presidenti Barak Obama ishte në katër vjeçarin e parë në detyrë. Më 20 janar qeverisja e vendit kalon në duart e republikanëve, të cilët do të kontrollojnë si Shtëpinë e Bardhë, ashtu edhe Kongresin.

Presidenti i zgjedhur Donald Trump e ka cilësuar ligjin për kujdesin shëndetësor një program “të çalë” me kosto tepër të lartë dhe e ka bërë të qartë se ka në plan ta zëvendësojë, megjithëse nuk ka dhënë hollësi se çfarë propozon konkretisht.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest tha dje në komentet për gazetarët se zoti Obama do të diskutonte me demokratët se si mund të bllokohet plani republikan për anulimin e ligjit.

Dallimet mes qëndrimit të Presidentit Obama dhe atij të zotit Trump do të dalin në pah javën e ardhshme kur presidenti të mbajë fjalimin e lamtumirës, pasuar të nesërmen nga konferenca e parë zyrtare për shtyp që ka mbajtur presidenti i zgjedhur Donald Trump që nga fitorja më 8 nëntor.

Zoti Trump njoftoi dje në Twitter se do të zhvillonte “një konferencë të përgjithshme për shtyp” më 11 janar.

XS
SM
MD
LG