Lidhje

Analistët mbi anulimin e turneut aziatik të Obamës


Ndërsa në Shtetet e Bashkuara vazhdon mbyllja e pjesshme e qeverisë, Presidenti Barak Obama e ka anuluar udhëtimin e tij për dy takime të rëndësishme në vendet aziatike: një takim ekonomik në Bali dhe një konferencë për sigurinë në Azinë Lindore, që mbahet në Brunei. Po ashtu, janë anuluar edhe dy vizita të planifikuara në Malajzi dhe në Filipine.

Turneu 4-ditor ishte planifikuar nga presidenti Obama, me synimin e fuqizimit dhe përkushtimit ushtarak dhe ekonomik të Amerikës në Azinë Juglindore.

Aleksius Jemadu, profesor për marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin Pelita Harapan të Jakartës, thotë se anulimi i vizitave të zotit Obama ngre pikëpyetje lidhur me përkushtimin e tij ndaj rajonit.

"Mendoj se administrata Obama duhet t'i bindë përsëri partnerët në Azi se SHBA e kanë me të vërtetë seriozisht planin për t'u përqëndruar tek Azia, duke marrë parasysh çështjet e ngutshme ekonomike në vende si Kina e India, si dhe tregjet në zhvillim, si Indonezia dhe Azipaqësori."

Gjatë 5 viteve të ardhshme, rreth 70 për qind e rritjes ekonomike globale do të vijë nga tregjet në zhvillim, mes të cilave Kina dhe India përbëjnë 40 për qind të rritjes.

Politika e adminsitratës Obama për ta vënë në qendër Azinë, u njoftua në vitin 2011, si një rajon që është duke u fuqizuar dhe që shihet si jetik për të ardhmen e Amerikës.

Por me luftën civile në Siri, me grushtin ushtarak në Egjipt dhe tani me ngërçin në Kongres, analistët thonë se vëmendja e administratës është larguar nga Azia.

Duke folur nga Filipinet, ish Nënsekretari amerikan i Mbrojtjes Walter Slocombe, i doli në mbrojtje përkushtimit të Shteteve të Bashkuara ndaj rajonit, megjithë vendimin e Presidentit Obama për anulimin e vizitave.

“Anulimi i vizitave u bë sepse Presidenti duhet të qëndrojë në Uashington, për t'u marrë me një problem të rëndësishëm politik brenda vendit dhe nuk mund të udhëtojë jashtë, për sa kohë kjo që gjendje të vazhdojë… Kjo nuk ka të bëjë aspak me politikat për Azinë, por me faktin se ne jemi në mesin e një konfrontimi politik në Uashington dhe presidenti duhet të qëndrojë këtu, për t'u marrë me të."

Por ndërsa presidenti amerikan është konsumuar nga ngecja e problemit të buxhetit, presidenti i Kinës ka qenë i zënë, duke u marrë me çështje rajonale.

Në një vizitë në Jakartë këtë javë, presidenti kinez Xi Jinping nënshkroi 23 marrëveshje biznesi me vlerën e 33 miliardë dollarëve. Në Malajazi të premten, ushëheqësi kinez ra dakord të fuqizojë tregtinë dy-palëshe në 160 miliardë dollarë deri në vitin 2017.

Presidenti kinez po ashtu po zhvillon lobizëm për një marrëdhënie më të ngushtë me Shoqatën e vendeve të Azisë Juglindore, ASEAN, një grup rajonal, me të cilin tashmë e ka një marrëveshje të tregtisë së lirë.

Kina është një nga partnerët më të rëndësishëm të ASEAN-it, por deklaratat e saj agresive për Detin e Kinës Jugore kanë ngritur tensionet territoriale.

Analistët thonë se mungesa e zotit Obama në takimin e APEC-ut, do t'i japë Kinës mundësinë t'i shfrytëzojë më mirë kontaktet me kryetarët e shteteve rajonale.

Wang Junsheng është studjues në Akademinë e Shkencave Sociale të Kinës.

"Megjithëse APEC nuk është i rëndësishëm për Kinën, përsa i përket çështjeve të sigurisë, ajo siguron aty një platformë të rëndësishme në përpjekjet e diplomacisë shumëpalëshe."

APEC, me 21 anëtarë, përfaqëson grupin ekonomik më aktiv të botës dhe zoti Junsheng thotë se Kina do ta përdorë këtë takim për të zhvilluar lidhjet me vendet anëtare, si Rusia dhe Koreja e Jugut.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG