Lidhje

Diplomacia Obama për Lindjen e Mesme


Presidenti Barak Obama ka në plan të zhvillojë një diplomaci intensive në Lindjen e Mesme këtë muaj dhe muajin tjetër, duke pritur udhëheqësit e Turqisë, Jordanisë dhe dy vendeve të Gjirit Persik në Zyrën Ovale për bisedime mbi Sirinë dhe zhvillime të tjera në Lindjen e Mesme. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Dan Robinson, na sjell hollësi.

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Obama do të presë Kryeministrin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për bisedime më 16 maj.

Të dy udhëheqësit kanë krijuar marrëdhënie të ngushta personale dhe pune gjatë mandatit të parë të zotit Obama që kanë vazhduar edhe gjatë mandatit të tij të dytë, ndërkohë që ata po merren me situatën në Siri dhe çështje të tjera.

Në fund të vizitës së tij të muajit të kaluar në Lindjen e Mesme, zoti Obama ndërmjetësoi në uljen e tensionit mes Izraelit dhe Turqisë, duke realizuar një bisedë telefonike mes udhëheqësit turk dhe Kryeministrit të Izraelit, Beniamin Netaniahu për të diskutuar mosmarrëveshjet.

Shtëpia e Bardhë tha se bisedimet do të përfshinë Sirinë dhe bashkëpunimin kundër terrorizmit dhe do të theksojnë marrëdhëniet strategjike mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë si aleatë të NATO-s.

Mbreti Abdullah i Jordanisë, i cili priti Presidentin Obama në Aman muajin e kaluar do të vijë më 26 prill në Shtëpinë e Bardhë.

Në bisedimet e tyre në Jordani, të dy udhëheqësit diskutuan shtimin e ndjeshëm të refugjatëve nga Siria dhe zoti Obama njoftoi se do t’i kërkonte Kongresit 200 milionë dollarë ndihmë shtesë për Jordaninë.

Shtëpia e Bardhë tha se udhëheqësit do të vazhdojnë këshillimet për Sirinë dhe për reformat politike dhe ekonomike në Jordani, të cilën Presidenti Obama e vlerësoi gjatë vizitës së tij në Aman.

Zoti Obama do të takohet gjithashtu këtë muaj me Emirin e Katarit, Hamad bin Khalifa al-Thani, dhe Princin e Kurorës Mohammed bin Zayed al-Nahyan të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, sëbashku me Arabinë Saudite, mendohet se po furnizojnë me armë të lehta dhe po i japin ndihma të tjera kryengritësve sirianë që luftojnë për të përmbysur Presidentin Bashar al-Assad.

I pyetur nëse vizitat janë pjesë e përpjekjeve për bashkërendimin e ndihmës për forcat e opozitës siriane, sekretari i Shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, e shmangu përgjigjen, duke iu përmbajtur përshkrimit në terma të përgjithëshme të vizitës.

"Janë natyrisht një numër çështjesh për këta udhëheqës dhe për presidentin që të diskutojnë, duke pëfshirë Sirinë, vizitën e tij të fundit në Jordani, Izrael dhe territoret palestineze, si dhe më gjerë zhvillimiet në Pranverën Arabe, prandaj ai i pret me interes këto vizita dhe ato pasqyrojnë angazhimin dhe interesimin e tij në rajon dhe në politikën tonë ndaj rajonit”.

Siria i bëri një paralajmërim Jordanisë këtë javë pasi zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dhe ata perëndimorë u cituan të kishin thënë se Jordania po lejonte përdorimin e teritorit të saj për stërvitjen e kryengritësve.

Siria do të jetë një çështje kyçe në bisedimet e sekretarit të Shtetit John Kerry këtë fund jave në Ankara, para se të shkojë përsëri në Izrael për konsultime të mëtejshme atje.
XS
SM
MD
LG