Lidhje

Obama dhe ndihma ushtarake për Ukrainën


Ndërkohë që në Ukrainën lindore shkallëzohen luftimet, Presidenti amerikan Barak Obama thotë se ai nuk ka vendosur ende nëse do t'i japë armë mbrojtëse Ukrainës, në luftën e saj kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia. Zoti Obama i bëri komentet dje në Uashington së bashku me kancelaren gjermane Angela Merkel. Të dy udhëheqësit thanë se do të vazhdojnë të kërkojnë një zgjidhje diplomatike të konfliktit.

Mbi qiellin e Ukrainës lindore fluturojnë raketat, ndërsa predhat goditin ndërtesat e banimit në Donetsk, duke shkaktuar viktima mes civilëve.

"Nuk kemi ku të shkojmë. Sillem vërdallë dhe mendoj: ndoshta do të vritem edhe unë," thotë Nadjezhda.

Gati një vit pas aneksimit së Krimesë nga Rusia dhe katër muaj pas arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi në Minsk - nuk ka shenja se luftimet midis forcave ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia janë në rënie.

E sapokthyer nga takimet me presidentin e Ukrainës Petro Poroshenko dhe presidentin rus Vladimir Putin

Kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila udhëheq përpjekjet perëndimore për të zgjidhur krizën në Ukrainë, zhvilloi dje bisedime me Presidentin Obama në Shtëpinë e Bardhë.

Duke mos përfillur trysninë politike, zonja Merkel rikonfirmoi kundërshtimin për t'i dhënë armë Ukrainës dhe u shpreh për të ndërmarrë një përpjekje të re diplomatike, me bisedimet e planifikuara për këtë javë në Bjellorusi.

"Çdo natë shohim njerëz që vdesin, shohim viktima civile, shohim kushtet e vështira në të cilat jetojnë njerëzit. Është detyrë për ne si politikanë, ua kemi borxh njerëzve të shikojmë çdo mundësi."

Presidenti Obama tha se ai do të vazhdojë të eksplorojë të gjitha mundësitë nëse diplomacia dështon, por nuk ka marrë ende një vendim nëse do t'i japë armë Ukrainës kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia.

Ai tha se mundësia për një zgjidhje ushtarake gjithmonë ka qenë e ulët, duke patur parasysh ushtrinë e fuqishme të Rusisë dhe gjatësinë e kufirit Rusi-Ukrainë.

Por zoti Obama paralajmëroi se Perëndimi do të mbajë në fuqi sanksionet kundër Rusisë për shkelje të integritetit territorial të Ukrainës.

"Ndërkohë që vazhdojmë të punojmë për një zgjidhje diplomatike, ne po e bëjmë të qartë përsëri sot se në qoftë se Rusia vazhdon në rrugën e saj të tanishme, e cila po e shkatërron ekonominë ruse dhe po dëmton popullin rus, izolimi i Rusisë do të përkeqësohet politikisht dhe ekonomikisht. "

Nënpresidentja e Këshillit Atlantik Fran Burwell thotë se çdo vendim për të rritur sanksionet apo armatosur Ukrainën mund të varet nga ajo që do të arrihet në bisedimet e nesërme në Minsk ndërmjet Francës, Gjermanisë, Ukrainës dhe Rusisë.

"Ajo që duhet të bëjmë është të dalim me gjëra të veçanta që duhet të arrijnë rusët brenda një afati të caktuar, për të kuptuar nëse po bëhet apo jo përparim. Mendoj se kjo është pika kur Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët të marrin një vendim."

Presidenti Obama tha se agresioni rus nuk ka bërë tjetër veçse ka forcuar unitetin e Perëndimit, një demonstrim i ri i fuqisë ky, ndërkohë që Kancelarja Merkel sërish përgatitet për t'u përballur me zotin Putin.

XS
SM
MD
LG