Lidhje

Presidenti Obama me propozime të reja për ekonominë

  • Kent Klajn

Presidenti Obama po propozon shkurtime të reja të taksave, duke shpresuar të përmirësojë ekonominë amerikane, e cila po përballet me vështirësi. Siç njofton nga Shtëpia e Bardhë korrespondenti Kent Klajn, presidenti është duke bërë fushatë për planin e tij ekonomik, ndërsa ekspertët parashohin humbje të mëdha për Partinë e tij Demokratike në zgjedhjet për Kongres të muajit nëntor.

Presidenti Obama shpalosi idetë për reformën ekonomike në Klivlend, Ohajo, qytet në pjesën qendrore të vendit, që është goditur rëndë nga recesoni.

Presidenti synon të shkurtojë taksat për 180 miliard dollarë për bizneset që shpenzojnë për projekte infrastrukturore. Ai tha se shkurtimet e taksave do t’ua mundësonin kompanive amerikane të marrin në punë më shumë punëtorë.

“Në vend të taksave që nxisin investime në vende të huaja, propozoj shkurtime të taksave për kompanitë që do të zhvillojnë hulumtime dhe do të sjellin risi, ja këtu në Ohajo, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

Shkalla e papunësisë është 9,6 përqind në mbarë vendin, ndërsa në Ohajo ajo arrin në mbi 10 përqind.

Zoti Obama tha gjithashtu se është kundër vazhdimit të shkurtimeve të taksave që ish-Presidenti Xhorxh Bush kishte vendosur për amerikanët me të hyrat më të larta. Në vend të kësaj, ai dëshiron të shkurtojë taksat për taksapaguesit me të ardhura të ulta dhe mesatare.

Ai iu kundërpërgjigj udhëheqësit republikan në Dhomën e Përfaqësuesve, Xhon Bejnër, i cili kishte kritikuar politikat ekonomike të zotit Obama gjatë një fjalimit në Klivlend para dy javësh.

Nuk pati propozime të reja prej zotit Bejnër. Nuk pati ide të reja. Ishte po ajo filozofi të cilën e kemi provuar gjatë dekadës sa ishin në pushtet ata; po ajo filozofi që na e solli këtë pështjellim në radhë të parë. Ajo filozofi thotë shkurtoni sa më shumë taksa për milionerët dhe hiqni sa më shumë rregulla për korporatat.”

Në një intervistë që i dha dje televizionit ABC, zoti Bejnër tha se dhënia fund shkurtimeve të taksave për qytetarët me të ardhura të larta do të dëmtonte ekonominë.

“Çështjen e deficitit nuk mund ta zgjidhim derisa të jemi të gatshëm të kontrollojmë shpenzimet dhe të kemi ekonomi të fortë. Dhe nuk mund të kemi ekonomi të fortë përderisa ua rrisni taksat mu atyre njerëzve që prisni të investojnë në ekonomi dhe të mundësojnë hapjen e vendeve të punës.”

Zoti Bejnër i ka prirë përpjekjeve të opozitës republikane në Kongres për të ndaluar agjendën ekonomike të presidentit dhe zoti Obama sërish akuzoi republikanët se po vënë pengesa.

“Ata po bëjnë të njëjtat llogaritje që bënin para inaugurimit tim: nëse unë dështoj, ata fitojnë. Nejse, mbase kujtojnë se kjo do t’i çojë aty ku duan të arrijnë në nëntor. Por nuk do ta çojë vendin tonë ku ka nevojë të arrijë në planin afatgjatë.”

Anketa më e fundit nga ABC Njuz dhe Uashington Post tregon se 57 përqind të amerikanëve nuk përkrahin drejtimin e ekonomisë nga presidenti. Anketa të tjera tregojnë se një përqindje në rritje e votuesve planifikojnë të mbështesin kandidatë republikanë për Kongres në zgjedhjet e nëntorit.

XS
SM
MD
LG