Lidhje

Presidenti Obama për marrëdhëniet racore në SHBA


Presidenti Barack Obama thotë se vendi pret më shumë se duhet nga policia, mes të tjerash edhe përgjigje për problemet e shoqërisë. Presidenti i bëri këto komente mbrëmë, në një takim që pati në qendër marrëdhëniet racore në Shtetet e Bashkuara, me temë: “Presidenti dhe populli - një bisedë kombëtare”.

Takimi, që u zhvillua në një teatër të Uashingtonit, u transmetua drejtpërdrejt me televizion. Presidenti diskutoi për tensionet racore dhe dhunën e policisë, që është bërë një temë që e ka shoqëruar vazhdimisht presidencën e tij. Gjatë takimit Presidenti u ndesh me konfrontime të forta për çështjen e racës.

Governatori republikan i Teksasit, Dan Patrick, i cilësoi “hipokritë” protestuesit e Lëvizjes “Jeta e njerëzve me ngjyrë ka rëndësi”, pas incidentit më të fundit vdekjeprurës ndaj policëve në Dallas. Ai i bëri thirrje presidentit që të bëjë më tepër për të mbështetur policinë.

Takimi në teatrin historik të Uashingtonit, pati domethënien e vet, pasi ky teatër u bë qendër e protestave të fuqishme racore të vitit 1968, si reagim pas vrasjes së udhëheqësit të të drejtave civile Martin Luther King, Jr. Takimi u shoqërua me shfaqjen në ekran të pamjeve nga konfrontimi fatal me policinë javën e kaluar në Dallas, ku u vranë 5 policë.

Zoti Obama ka ngurruar të ketë rolin e arbitrit për marrëdhëniet racore në Shtetet e Bashkuara, por Presidenti i parë afrikano-amerikan po detyrohet së fundi të mbajë pozicion, pas vrasjeve kohët e fundit të oficerëve të policisë në Louiziana dhe Minnesota dhe sulmeve me snajper ndaj policisë në Dallas.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG