Lidhje

Obama: SHBA dhe India, të bashkuara kundër terrorizmit


Obama: SHBA dhe India, të bashkuara kundër terrorizmit
Obama: SHBA dhe India, të bashkuara kundër terrorizmit

Presidenti amerikan Barak Obama mori sot pjesë në festimet e festivalit hindu të dritave, Divali, me nxënësit e një shkolle të mesme në Bombei.

Presidenti dhe zonja e parë amerikane, Mishell Obama, morën pjesë në festime në shkollën e mesme Emri i Shenjtë, ditën e dytë të vizitës së tyre në Indi.Presidenti ka në palan të bisedojë me studentët e një kolegji në Bombei, para se të niset për në kryeqytetin e vendit, Nju Deli.

Në Nju Deli, zoti dhe zonja Obama do të vizitojnë varrin e Imperatorit Hamejan, para një darke private me Kryeministrin e Indisë, Manmohan Sing. Zoti Obama ka në plan të zhvillojë bisedime me zotin Sing dhe të flasë në Parlamentin e Indisë. Presidenti Obama ka thënë se pret me optimizëm forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimt kundër terrorizmit me Indinë.

Presidenti amerikan foli në hotelin Taxh Mahal, një nga objektivat e sulmeve terroriste të nëntorit 2008 në Bombei që shkaktuan vdekjen e 166 personave. Presidenti Obama tha se Bombei është simbol i energjisë së jashtëzakonshme dhe optimizmit që personifikon Indinë e shekullit të 21-të.

“Dhe që nga ato ditë të tmerrshme para dy vjetësh, Taxh Mahali ka qenë simboli i forcës dhe ripërtëritjes së popullit indian. Ne vijmë këtu me një mesazh shumë të qartë: që në vendosmërinë për t’u garantuar popujve tanë një të ardhme me siguri dhe begati, Shtetet e Bashkuara dhe India janë të bashkuara”.

Presidenti foli pasi zhvilloi takime private me të afërm të atyre që humbën jetën në sulmet e nëntorit 2008. Ai dhe Zonja e Parë vizituan një përkujtimore para hotelit, një shatërvan pranë vendit ku ndodhi një nga sulmet.

“Shtetet e Bashkuara dhe India po bashkëpunojnë tani më shumë se kurrë për të garantuar sigurinë e popujve tanë. Do ta thelloj bashkëpunimin kundër terrorizmit me Indinë edhe më shumë kur të takohem me kryeministrin Manmohan Singh në Nju Delhi. Ne ecim përpara me besim pasi e dimë që historia është me ne”.

Presidenti njoftoi sot për liberalizimin e rregullave për eksportet në Indi në një fjalim para udhëheqësve amerikanë dhe indianë të biznesit. Ai njoftoi gjithashtu disa marrëveshje biznesi me Indinë me vlerë 10 miliardë dollarë.

“Në një ekonomi globale, rritja e re ekonomike dhe vendet e reja të punës shkojnë në vendet që i heqin pengesat ndaj tregëtisë dhe investimeve. Këto janë hapa që ne mund t’i marrim së bashku për të forcuar lidhjet ekonomike mes vendeve tona, lidhje që sjellin një perspektivë të jashtëzakonshme për popujt tanë, për të ardhmen tonë; perspektiva e vendeve të reja të punës, industrive të reja, rritjes së re”.

Presidenti tha se realizimi i këtyre perspektivave, mund të mos jetë i lehtë por shprehu besimin se të dyja palët do ta përballojnë sfidën. Marrëveshjet e reja të nënshkruara, pritej të konsolidonin rreth 54 mijë vende pune mes amerikanëve, por nuk është e qartë sesa prej tyre do të jenë vende të reja pune.

XS
SM
MD
LG