Lidhje

Obama: Vdekja e Gadafit i tha fund një kapitulli të gjatë e të dhimbshëm për Libinë

  • Kent Klain

Obama: Vdekja e Gadafit i tha fund një kapitulli të gjatë e të dhimbshëm për Libinë

Obama: Vdekja e Gadafit i tha fund një kapitulli të gjatë e të dhimbshëm për Libinë

Presidenti Barak Obama tha se vdekja e ish udhëheqësit të Libisë Moamar Gadafi i tha fund një kapitulli të gjatë e dhimbshëm, siç u shpreh ai, pas disa dekadash sundimi me dorë të hekurt. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Kent Klain na informon nga Shtëpia e Bardhë, ku zyrtarët thonë se presidenti u informoa dje herët për vdekjen e Gadafit.

Presidenti Obama tha se është shumë krenar për punën e aleancës së NATO-s në Libi dhe për përpjekjet e popullit libian për të rrëzuar udhëheqësit e vendit për një kohë shumë të gjatë.

Në një takim në Shtëpinë e Bardhë, presidenti falenderoi Kryeministrin e Norvegjisë Jens Stoltenberg për ndihmesën e vendit të tij në misionin e NATO-s në Libi dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar.

“Ne jemi krenarë për udhëheqjen që treguam në këtë proces, por gjithmonë e më shumë, kur kemi rastin të punojmë me partnerë të shkëlqyet si Norvegjia, mendoj se atëhere do të jemi edhe më të efektshëm në veprimet tona”.

Dje para dite, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhej Kerni, tha se vrasja e Gadafit do t’i japë fund edhe misionit të NATO-snë Libi, i cili filloi në muajin mars për mbrojtjen e civilëve libianë nga forcat e Gadafit.

“Jo vetëm për njoftimin e vdekjes së Gadafit, por edhe për marrjen me sukses të Sirtes dhe zonave të tjera, pjesa më e madhe e Libisë është tani nën kontrollin e forcave kryengritëse, nën kontrollin e Këshillit Kombëtar Kalimtar”.

Kerni tha se Këshilli, i cili qeveris Libinë, është i autoriteti i vetëm që ka deklaruar se ka kontrollin e vendit. Zëdhënësi i zotit Obama i bëri jehonë thirrjes së presidentit drejtuar Këshillit Kombëtar Kalimtar për të formuar një qeveri demokratike sa më parë që të jetë e mundur. Ai tha se grupi ka premtuar vazhdimisht se do ta bëjë një gjë të tillë.

“Kanë kaluar disa muaj që kur ne e njohëm Këshillin, madje edhe më parë ne ishim të angazhuar me të, po ashtu edhe aleatët tanë. Prandaj ne kemi mendime pozitive dhe e kuptojmë atë, për më tepër do të donim të theksonim deklaratat që Këshilli ka bërë për angazhimin e tij për një kalim e Libisë në demokraci”.

Kerni tha se Shtetet e Bashkuara do të punojnë me vende të tjera për ta ndihmuar Libinë në kalimin drejt demokracisë. Ai nuk tha specifikisht se si do të bëhet kjo. Ai tha gjithashtu se Uashingtoni po u bën thirrje udhëheqësve të Libisë të konsolidojnë forcat e armatosura nën kontrollin civil dhe të punojnë për të vënë në kontroll materialet e rrezikëshme.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë la të kuptohet se ndërhyrja ushtarake amerikane në Siri për largimin nga vendi të Presidentit, Bashar al-Asad, nuk është një opsion i mundshëm, por ai tha se lëvizja e quajtur “Pranvera Arabe” ka shumë të ngjarë të prekë edhe Sirinë.

“Ngjarjet e gjithë këtij viti në atë rajon të botës kanë qënë shprehja më dramatike se sa deklaratat që mund të bëjë ndonjë individ se cila do të jetë e ardhmja e rajonit. Ajo është një e ardhme që i përket rinisë së rajonit dhe atyre që kërkojnë demokraci më të madhe, përgjegjësi më të madhe nga qeveritë e tyre, si dhe liri më të madhe. Kjo është e vërtetë për Sirinë ashtu siç është e vërtetë edhe për Libinë”.

Kerni tha se Presidenti Obama u informua për vdekjen e Gadafit në informacionin e djeshëm ditor të sigurisë, por ishte në dijeni të njoftimeve për këtë ngjarje më herët gjatë ditës.

XS
SM
MD
LG