Lidhje

Obama: Vendi të përqafojë një politikë për energjinë e pastër


Presidenti amerikan Barak Obama po bën thirrje për miratimin e një ligji të rëndësishëm për energjinë dhe klimën dhe që vendi “të përqafojë një politikë për energjinë e pastër”.

Zoti Obama thotë se mund të mos ekzistojnë votat e nevojshme në Senat për miratimin e ligjit të klimës tani, por se ai synon të gjejë mbështetje për këtë ligj në muajt e ardhshëm. Dhoma e Përfaqësuesve e ka miratuar ligjin për energjinë dhe klimën.

Zoti Obama po ashtu kritikoi opozitën republikane për ato që ai i cilësoi politika të dështuara ekonomike të së kaluarës dhe për mungesën e ndihmës në përpjekjet e tij për përmirësimin e ekonomisë dhe zbatimin e reformës së shërbimit shëndetësor. Ai tha se Republikanët nuk u përfshinë në proces, por përsëri shprehën kritika, ndërsa ai kërkonte zbatimin e reformave.

Nga ana e tyre, republikanët e kanë akuzuar zotin Obama dhe ligjvënësit demokratë për politika të shpenzimeve të tepruara, të cilat e kanë shtuar borxhin e brendshëm.

XS
SM
MD
LG